Kryeministri Edi Rama doli ne një konferencë të përbashkët për shtyp me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, nga Brukseli.

Fjalën e tij në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të OSBE-së, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e nisi me ngushëllime për jetët e humbura në Shqipëri nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa ndau personalisht ngushëllimet për vetë kreun e qeverisë që humbi të fejuarën e djalit të tij.

“Kryeministër Edi Rama është kënaqësi t’iu shohim sërish. Ne jemi të gjithë të shokuar nga tërmeti që goditi Shqipërinë nëntorin e kaluar. Të gjithë ndjemë dhimbjen e atyre që vuajtën. Edi, ju përjetuat gjithashtu një humbje personale, Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia të sinqerta, për të gjitha ata që humbën të dashurit nga tërmeti. Ne qëndrojmë dhe veprojmë bashkë kur njëri vuan”, tha Jens Stoltenberg.

NATO mbështet rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi pezulluar prej disa kohësh dhe ofron mbështetjen për çështjen e hapësirës ajrore.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg nënvizoi se dialogu është e vetmja mënyrë për arritjen e një zgjidhje të qëndrueshme.

“Ne mbështesim fort dialogun mes prishtinës dhe Beogradit. Mbështesim rifillimin e këtij dialogu që është pezulluar për disa kohë. Besojmë se ky dialog është e vetmja mënyrë për të arritur një zgjidhje politike të gjatë e të qëndrueshme të konfliktit. E mbështesim jo vetëm përmes mbështetjes politike por duke ndihmuar për të zgjidhur çështjen e hapësirës ajrore. “

Stoltenberg nënvizoi dhe se po nxitet që investimi në bazën e Kuçovës të nisë sa më shpejt.

“Kam përmendur investimin në bazën ajrore të Kuçovës. Ky është një investim domethënës dhe po nxitim të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo bazë mund të jetë qendër e veprimtarive shumë të rëndësishme.”

Sa i takon anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, Stoltenberg u shpreh se procesi është pranë finalizimit.

Nga Brukseli, kryeministri Edi Rama përsëriti qëndrimin se rivendosja e linjës ajrore Prishtinë- Beograd është një hap i rëndësishëm që sipas tij duhet ndjekur nga të tjerë sa i përket bashkëpunimit për paqe dhe zhvillim rajonal.

“Falenderoj Stolenberg që keni qenë kaq shumë mbështetës për ne dhe në Rajon. Mbështetët për rivendosjen e linjës Prishtinë- Beograd që është një hap i rëndësishëm dhe jam plotësisht dakord me ju që është një hap që duhet të ndiqet nga të tjerë në procesin e bashkëpunimit paqësor dhe zhvillimit rajonal.

Ne e konsiderojmë NATO-n si pjesë të rëndësishme të punës sonë në OSBE dhe si një faktor të rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta për ta bërë të suksesshëm misionin tonë dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve gjatë këtij viti”, tha Rama gjatë konferencës me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s.

Artikulli paraprakDOGANA KALLËZON KOMPANINE E GAZIT ,37.7 MILIONË LEKË DËM SHTETIT
Artikulli tjetërAKSIDENT ME VDEKJE NE MALËSI TË MADHE