Miratimi i dy komisioneve, Rama: Nuk jemi në krizë politike, por krizë nervore të

PD Kryeministri Edi Rama ka folur jashtë Parlamentit pas miratimit të dy komisioneve ad hoc të vetingut. Shefi i qeverisë tha se ky proces do të vazhdojë të ecë përpara, por bojkoti i Partisë Demokratike pengon anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kryeministri deklaroi se do të kërkojnë ndihmë nga Partitë Popullore Europiane, ku bën pjesë edhe PD, për të gjetur gjuhën e dialogut me opozitën. “ Pas miratimit të ngritjes së dy komisioneve të reja ad-hoc të Vettingut, kryeministri Edi Rama i tha opozitës se është ngujuar në çadër për shkak të frikës nga drejtësia. Rama: Ata që janë ngujuar në çadër janë ty nga frika nga drejtësia. Refuzimi i vazhdueshëm për të mos u bërë pjesë e një procesi historik që përkojnë me një aspiratë çerekshekullore të këtij populli për të çliruar drejtësinë nga kthetrat e gjykatësve të korruptuar dhe për ta kthyer në drejtësi evropiane, është një njollë e zezë turpi që partia që lindi me moton “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”, po i vë vetes. Një gjë është shumë e qartë; që mos kryerja e procesit të vettingut cenon rëndë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, vonon uljen në tryezën për të negociuar anëtarësimin. PD është gati të na ndajë edhe një herë për së gjalli nga Evropa ku duam të gjithë të bëhemi pjesë vetëm për t’u shmangur ballafaqimit me drejtësinë të atyre që kanë kosure për të larë në një shtet të së drejtës. Sot vazhduam të jemi në lartësinë e aspiratës së shqiptarëve, vazhduam të çojmë përpara nga ana jonë një proces që është pa kthim. Vettingu mund të vonohet, por spastrimi i pallatit të drejtësisë nuk ndalohet dot. Rivendosja e një raporti tërësisht tjetër mes politikës dhe drejtësisë në funksion të qytetarëve nuk ndalohet dot dhe vendosja e të gjithëve përpara drejtësisë si qytetarë të barabartë nuk ndalohet dot. Kryeministri Rama tha se nuk do të mungojnë përpjekjet për dialog. Rama: Ne kemi rakorduar se do të vazhdojmë të bëjmë çdo përpjekje për të gjetur zgjidhjen për të kërkuar hapësirën e dialogut, të cilën frika e madhe e mishëruar në personazhin e kryetarit të PD-së deri tani e ka bërë të pamundur. Kryeministri u pyet edhe për kërkesën drejtuar Partive Popullore Evropiane. Rama: Ne jemi të inkurajuar nga fakti që vendimi ynë për t’iu drejtuar Partive Popullore si një familje që ka mbështetur gjithmonë Partinë Demokratike për të lehtësuar komunikimin është dëgjuar pozitivisht. Shpresojmë shumë që t’i jepet mundësia Partive Popullore që ta ndihmojnë Partinë Demokratike se në fund të fundit, nëse PD dhe kryetari i PD-së do të sillen edhe me PPE-në siç janë sjellë deri më tani me të gjitha përpjekjet tona për dialog, atëherë do të jetë mision i pamundur edhe për vet PPE-në. Kur dëgjon që edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë na qenka i pa informuar dhe problemi na qenka Bashkimi i pa informuar Evropian dhe Shtetet e pa informuara të Bashkuara të Amerikës, atëherë realisht është e vajtueshme dhe nuk jemi në një krizë politike, jemi në një krizë nervore të Partisë Demokratike.

Artikulli paraprakGJENDET NJË MAGAZINË DROGE, SEKUESTROHEN 7 KG KANABIS
Artikulli tjetërVLLAZNIA MUND PARTIZANIN NE VOLEJBOLL PER MESHKUJ,SHKON NE FINALE ME STUDENTIN