Rama: Shkurtime drastike në administratë, zyrtarë të korruptuar edhe në PS

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndryshime në qeveri dhe shkurtime drastike në institucione. Gjatë dëgjesës me banorë të Librazhdit, Rama nuk përjashtoi as PS por akuzoi partitë e vogla se kanë ndërtuar strukturë gjakpirëse në administratë. Kreu i qeverisë paralajmëroi ferr ligjor për të gjithë të korruptuarit. Rama: Nuk është një sistem ku PS është ëngjëlli dhe të tjerët janë djajtë. Partia Socialiste si parti e madhe dhe që ka përgjegjësi më të madhe është shumë më e përgjegjshme natyralisht për të qenë në krye të detyrës por nuk janë të pakët zyrtarët apo punonjësit e shtetit që fshihen pas flamurit të Partisë Socialiste për t’iu rënë njerëzve me shkop kokës, me shkopin e flamurit të partisë. Kur vjen puna pastaj tek partitë tjera më të vogla kjo punë është llahtar sepse janë të organizuara si struktura gjakpirëse. Dhe me atë gjak rrojnë, shtohen dhe rriten. Ne do të bëjmë një reformë shumë të thellë në administratë duke filluar që nga niveli i parë, qeveria. Do të reformojmë thellësisht qeverinë, strukturën e qeverisë, mënyrën e funksionimit dhe të gjitha institucionet. Do të bëjmë shkurtime drastike të gjithë degëve të thata apo të gjithë pjesëve parazite dhe të infektuara në administratën shtetërore dhe jemi shumë të vendosur që të ndërtojmë ferrin për këta lloj individësh. Ferrin e ligjit.

Artikulli paraprak“EDUKIMI MJEDISOR TEK TË RINJTË”
Artikulli tjetërUSHTRIA PASTRON RRUGËT. NDËRHYRJA NË AKSET DREJT PLAZHEVE