Eshtë parandaluar vetëvrasja e një të miture që ishte pjesë e lojës “Balena Blu”

Policia e Korçës informon se në rrjetin social “Facebook” e mitura 15 vjeçe ndiqte udhëzime dhe ishte bërë pjesë e lojës “Balena Blu”. Më 29 qershor në në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kishte ardhur informacioni se vajza banuese në Qarkun e Korçës, duke qenë përdoruese e rrjetit social “Facebook”, mund të kishte marrë disa udhëzime nga një adresë ende e paidentifikuar me përdorues “Balena Blu”. Duke luajtur dhe duke arritur në nivelin e tridhjetë të kësaj loje, dyshohej se e mitura mund të kalonte deri në vetëvrasje” informon policia e Korçës.

Si rezultat i bashkëpunimit dhe mirëkoordinimit të veprimeve, midis strukturës të lartpërmendur dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi i kësaj shtetaseje, si edhe ndërprerja e veprimeve të mëtejshme që mund ta kishin çuar këtë të fundit, deri në vetëvrasje. Policia sqaron se e mitura ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore nën kujdesin dhe kontrollin e prindërve të saj, duke u asistuar edhe nga një psikologe. Nga ana e Policisë, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Të dhëna të tjera, nuk mund të jepen pasi rasti i mësipërm është nën hetim. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale : “Shkaktimi i vetëvrasjes, mbetur në tentative”, parashikuar nga nenet 99 e 22 të Kodit Penal.

Artikulli paraprakRAMA THËRRET TAKIM PUNE ME DEPUTETËT DHE KRYEBASHKIAKËT SOCIALISTË
Artikulli tjetërTOPALLI: S’DO LEJOJMË GARË FALSE NË PD, MARRIM NË DORË FATET E PARTISË