Reshjet e shiut të rëna gjatë 24 orëve të fundit në qytetin e Shkodrës kanë sjellë probleme në lëvizjen e qytetarëve.

Mungesa e kanalizimeve në disa prej lagjeve të qytetit, ka krijuar pellgje uji në rrugica. Si çdo herë, lagjja Mark Lula është e para ku krijohen vështirësi në lëvizje. Niveli i ujit është rritur ndjeshëm, ndërsa banorët kanë marrë masa për të mos lejuar që oborret e tyre të mbulohen nga ujërat e zeza. Një situatë kjo e përsëritur vit pas viti dhe që nuk po gjen zgjidhje pavarësisht shqetësimit të ngritur nga ana e qytetarëve.

Në lagjen Dudas dhe në disa prej rrugicave përgjatë unazës perëndimore të qytetit situata vijon të mbetet e njëjtë. Edhe pse pak kohë më parë qytetarët nënshkruan një peticion drejtuar Bashkisë Shkodër, ndryshime nuk ka pasur. Mungesa e kanalizimeve ka sjellë edhe këtu një situatë problematike. Në bllokun e pallateve përballë Spitalit Rajonal të Shkodrës situata është e ngjashme. Rrugicat e lagjes janë mbuluar nga uji, kjo si pasojë e mungesës së kanalizimeve.

Edhe në rrugën Et’hem Kazazi pranë vendit të quajtur “Shtëpia e Mushkonjës” situata ka njohur përkeqësim. Gropat e rrugës që deri dje ishin me pluhur, sot na ofrojnë një panoramë ndryshe.

Artikulli paraprakDITA E DYTË E PROTESTËS, BASHA: PROTESTA NUK NDALET
Artikulli tjetërKUPA “PAVARËSIA”, KAJOSHI MË I MIRË NË KOSOVË