Vetëm 5 muaj larg por kapiten Erdenis Gurishta ndjen mall për familjen, Shkodrën e Vllazninë. Tashmë si një lojtar i CSKA 1948 Sofia në Bullgari, Gurishta ndodhet për pak ditë në qytetin e tij ndërsa tregon se aventura bullgare po shkon shumë mirë për të.

Nga Bullgaria, Gurishta ndjek çdo ndeshje të Vllaznisë. Ky sezon ka nisur me probleme thotë ish kapiteni ndërsa shprehet qartë se lojtarët e afruar jo të gjithë e meritojnë fanelën kuqeblu.

Për Gurishtën Vllaznia duhet të luftojë shumë për vendin e katërt që të dalë në Final Four sepse tre vendet e para për mbrojtësin i kanë të sigurta Tirana, Egnatia dhe Partizani.

28 vjeçari u largua nga Shkodra sepse drejtuesit e Vllaznisë nuk i qëndruan premtimeve dhe nuk kishin objektiv titullin kampion.

Gurishta e ka një peng për 9 vitet e tij tek Vllaznia. I mungon trofeu i kampionit. Kanë kaluar 23 vite pa titullin dhe asokohe kapiteni ishte vetëm 6 vjeç.

Për mbrojtësin, Thomas Brdariç është trajneri më i mirë që i ka ardhur Vllaznisë përsa kohë ishte pjesë e kësaj skuadre.

Mesfushori Ardit Krymi me të cilën u rrit që në akademi është miku më i mirë që Gurishta la tek Vllaznia por nuk harron edhe disa të tjerë.

Erdenis Gurishta është një prodhim i akademisë Vllaznia. Për nëntë vite luajti me ekipin e parë ndërsa mbajti edhe shiritin e kapitenit duke u kthyer në një prej lojtarëve më të rëndësishëm si mbrojtës i djathtë. Këtë sezon vendosi t’i japë lamtumirën Shkodrës për të firmosur një kontratë në Bullgari me CSKA 1948 të Sofies.

Artikulli paraprakAKSIDENT I FRIKSHËM NË LEZHË
Artikulli tjetërSTAR SPORT – 16.10.2023