Policia e Kosovës në bashkëpunim me Interpol Tirana kanë arrestuar shtetasin me inicialet A.M 29 vjeç lindur në Shkodër. Policia kosovare finalizoi operacionin e koduar “Pengmarrja” duke vënë në pranga shtetasin A.M nga Shkodra i shpallur në kërkim për krime kundër personit. 29 vjeçari është i dyshuar si prej pengmarrësve të shtetasit Jan Prenga në Lezhë i cili rezulton ende i zhdukur pas më shumë se tre vitesh nga momenti kur ndodhi ajo ngjarje. Policia e shtetit njofton se si rezultat i shkëmbimit në kohë të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe ILECU-së, Kosovë, informacione këto të siguruara nga strukturat e Policisë, për një shtetas të kërkuar që qarkullonte në Kosovë, me dokumentet e një shtetasi tjetër, në kuadër të operacionit “Pengmarrja”, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar A.M, 29 vjeç, lindur në Shkodër. Ky shtetas, në momentin e kapjes, ka paraqitur pranë autoriteteve kosovare, dokumentet e një shtetasi tjetër. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me këto autoritete, janë kryer një sërë verifikimesh nga të cilat ka rezultuar se shtetasi i kapur gjatë operacionit ishte shkodrani A.M. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2022, i ka caktuar 29-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet ka rezultuar se është njëri nga organizatorët e rrëmbimit dhe zhdukjes së shtetasit Jan Prenga. Gjithashtu, shtetasin A.M, Gjykata e Apelit të Shkodrës, në vitin 2016, e ka dënuar me 3 vjet burgim nga të cilat i kanë mbetur për të kryer 2 vjet, 3 muaj dhe 15 ditë burgim, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor “, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, vijon procedurat për ekstradimin e shtetasit A.M, drejt Shqipërisë.

Artikulli paraprakNDAHET NGA JETA BIZNESMENI DEDË FUSHAJ
Artikulli tjetërPOLICIA, 705 TË ARRESTUAR NË KORRIK