Ish-punonjësi i Policisë së Vlorës, Renaldo Avdulaj, është vetëdorëzuar në polici, pasi ishte shpallur në kërkim prej 1 tetorit të vitit 2016, si implikuar në trafikun e drogës me grupin kriminal të Taulant Haxhiraj, në Vlorë.

Ndaj tij, Gjykata për Krime të Rënda kishte caktuar tre vjet më parë, masën e sigurimit personal në mungesë, të arrestit me burg.

Prokuroria për Krime të Rënda ngriti ndaj ish-policit akuza të rënda, si kultivim i lëndëve narkotike dhe grup i strukturuar kriminal.

Por më tej, akuzat u zbutën për mungesë provash, dhe dosja e tij gjykohet veçmas, dhe vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Prokuroria ka çuar në gjykatë dosjen hetimore për tetë persona, që i akuzon si pjesë të një grupi të strukturuar kriminal, të cilët ushtronin aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të lëndës narkotike kanabis sativa në fshatrat Vezhdanisht-Treblovë, në Vlorë.

Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, në fshatra të Vlorës, Policia e Shtetit zbuloi një sasi të madhe lënde narkotike, të shpërndarë në parcela, si edhe në proces tharjeje.

Në krye të grupit të strukturuar kriminal qëndronte Taulant Haxhiraj, i cili, sipas Prokurorisë për Krime të Rënda, bashkëpunonte me punonjësin e Policisë, Renaldo Avdulaj, si edhe me disa persona të tjerë.

11 persona ishin arrestuar më herët për trafikun e drogës në këtë zonë, mes të cilëve edhe kreu i bandës, Taulant Haxhiraj.

Artikulli paraprakBASHA MBLEDH KRERËT E DEGËVE TË PD, PROTESTAT VAZHDOJNË
Artikulli tjetërPARAKALIMI I GABUAR SJELL DY TË PLAGOSUR