Pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian dhe jo vetëm, për të ndaluar kërkesat e azilkërkuesve shqiptarëve, numri i tyre është rritur ndjeshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit, është shënuar një rritje me afro 68% e kërkesave të shqiptarëve për azil në vendet e BE-së. Në total vetëm për verën e vitit 2022 numërohen 6860 kërkesa, raporton Euractiv. Shifrat e dhëna nga Eurostat, tregojnë se destinacioni i preferuar për shqiptarët mbetet Franca me pothuajse gjysmën e aplikimeve për azil, e ndjekur më pas nga Gjermania me 12%.

Shqipëria, e cila renditet e 41-ta në Indeksin Global të Paqes për vitin 2022, numëron 1,100 qytetarë të cilët paraqitën kërkesa për azil në BE në korrik – më shumë se 950 ukrainasit që po ikin nga lufta. Megjithatë, ndërsa shifrat janë dukshëm më të larta se vitin e kaluar, ato mbeten 41% më të ulëta se në vitin 2019, përpara pandemisë COVID-19. Mirëpo, kërkesat e shqiptarëve për azil në vendet e Bashkimit Evropian nuk janë i vetmi shqetësim për bllokun. Shqiptarët janë kthyer në problem edhe për qeverinë britanike, pasi rreth 14 mijë emigrantë kanë kaluar ilegalisht Kanalin e La Manshit nga janari deri në fillim të vjeshtës. Mbretëria e Bashkuar është më e fokusuar në largimin e tyre nga vendi sesa në vlerësimin e aplikimeve të tyre. Ulja e numrit të kërkesave për azil apo kalimet e paligjshme të emigrantëve përmes Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, janë disa nga kriteret e Komisionit Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë në bllok.

Republika çeke paralajmëroi disa javë më parë rikthimin e vizave për Shqipërinë dhe vende të tjera të Ballkanit pasi nuk arritën të ndalin kalimet e paligjshme. Ministrat e BE-së konfirmuar se në rast se çështja nuk zgjidhet në rrugë diplomatike, do të ashpërsohen masat.

Artikulli paraprakZBATIMI ME DISA FAZA/ ALBIN KURTI MODIFIKON VENDIMIN PËR TARGAT, AFAT DERI MË 21 PRILL 2023
Artikulli tjetërMINISTRI I JASHTËM UKRAINAS BISEDË ME HOMOLOGUN IRANIAN, I KËRKON NDALIMIN E FURNIZIMIT ME ARMË DREJT RUSISË