Çështja penale kundër ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla e nisur një muaj më parë për 4 akuza nga prokuroria e Durrësit, mësohet se është transferuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Llalla do vijojë të hetohet nga kjo prokurori dhe se siç mësohet ka shumë gjasa që ish-kolegët e tij të nxjerin në ditët në vijim, urdhër-arresti për ish-shefin e tyre, që drejtoi Prokurorinë e Përgjithshme për 5 vite me rradhë.

Çështja penale kundër Adriatik Llallës është transferuar tek krimet e rënda, pasi akuza e Durrësit gjatë verifikimeve të kryera ka konstatuar shkelje ligjore,

për sa i përket makinacioneve që Llalla ka kryer për ritjen e pasurisë së tij, nëpërnjet shtetasve Gazmen Brahimaj dhe Edison Dushku.

Por nuk ka qënë vetëm kjo arsyeja e transferimit të dosjes nga Durrësi në Tiranë, pasi prokurorët kanë shfrytëzuar dhe një vendim të Gjykatës së Lartë, e cila udhëzon prokuroritë e rretheve që çështjet penale të rregjistruara për zyrtarë të lartë nga 1 gushti 2017, duhet t’i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi kjo e fundit ka kopetencat ligjore për të hetuar këtë kategori. Vetë posti i kryeprokurorit që mbante Llalla, konsiderohet si nivel i lartë i këtij zyrtari, që tashmë është nën hetim për 4 vepra penale.

Hetime për Llallën është rregjistruar për “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurise, interesave private të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për për deklarim”, “Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale“ dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Ish-kryeprokurori Llalla prej muajsh ndan kohën e tij ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, ku jeton edhe familja e tij pas një largimi të ngutshëm në mesin e vitit 2016.

Në vitin e fundit të mandatit të tij, Llalla pati konflikt të hapur me ambasadorin e SHBA në Tiranë Donald Lu, duke e akuzuar këtë të fundit si person që kishte ndikuar tek ai për arrestimin e Ilir Metës dhe për mbylljen e një procedimi penal në Fier, që bënte fjalë për kompaninë e naftës “Bankers Petrolium”. Nga ana tjetër Lu e ka quajtur Llallën si person të korruptuar dhe që ka dashur të pengojë reformën në drejtësi.

Pas largimit të Llallës nga posti i kryeprokurorit, Departamenti i Shtetit ndaloi publikisht hyrjen e Adriatik Llallës dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se “ka informacione për përfshirje të tij në raste domethënëse korrupsioni”. Nga ana e tij, Llalla reagoi në një media amerikane, duke thënë që “vendimi i Departamentit të Shtetit është marrë për shkak të keqinformimit me dashje që është bërë nga ambasadori Lu”.

Ndërkohë që disa javë pas vendimit të Departamentit të Shtetit, Prokuroria e Durrësit nisi hetimin ndaj Adriatik Llallës, për disa vepra që lidhen me pastrimin e parave. Tashmë kjo çështje i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Artikulli paraprakKËRKESA E PROKURORËVE PËR MARKUN: NA RIKTHENI ARMËT PËR VETËMBROJTJE
Artikulli tjetërPËRDHUNOI 15 VJEÇAREN , ANALIZA E ADN-SË VËRTETON ATËSINË E FOSHNJËS