39 kilometra nga qyteti i Shkodrës, rruga që të çon në fshatrat e Njësisë Administrative Shllakë është e amortizuar. Mosndërhyrja prej vitesh ka bërë që qindra banorë të kësaj zone të përballen çdo ditë me vështirësi të mëdha me komunikimin me zonat urbane. Në këtë rrugë, e cila në vitet e komunizmit ka qenë një arterie e rëndësishme ekonomike, degradimi ka evoluar, sidomos përgjatë dhjetë viteve të fundit. Banorët e 14 fshatrave të kësaj ane vuajnë për shërbime të ndryshme, të cilat kanë direkt ndikim në jetën e tyre. Problemet në këtë aks të vështirë fillojnë pak kilometra pa mbërritur në Drisht, sapo kalon Urën e Mesit mbi lumin Kir, aty ku asfalti prej vitesh nuk mund të quhet më si i tillë.

Menjëherë sapo lëmë Drishtin, përballja me jetesën e këtyre banorëve është gri. Rruga e paasfaltuar ngjan më shumë me një shteg të vështirë se sa një rrugë që lidh fshatra të tërë me zonat urabane. Gjatë periudhës së shirave, kalimi në këtë rrugë vështirësohet akoma më shumë. E gjitha kjo rrezikon banorët. Këta të fundit u bëjnë apel autoriteteve shtetërore, Bashkisë Shkodër dhe Bashkisë Vau Dejës, për ndërhyrje në rrugë pasi vështirësia e tyre është e madhe, përgjatë gjithë vitit. Banorët bëjnë me dije se rruga e pa rreguulluar ka ndikuar në mungesën e vazhdueshme të shërbimit shëndetësor, pasi ambulancat e kanë të vështirë mbërritjen në destinacion.

Çdo problem shëndetësor i tyre e ka thuajse të pamundur të trajtohet në kohë. 14 fshatrat e kësaj zone, përveç mungesës së rrugës vuajnë edhe problemet e herë-pas-hershme me energjinë elektrike. Zhvillimi në këto maja të skalitura plot gjelbërim nga natyra duket sikur ka mbetur në vend. Mungesa e vëmendjes së shtetit ka detyruar një numër të madh të banorëve të kësaj zone të lënë tokat e tyre për t’u drejtuar për në zonat urbane, për një jetë më të mirë, e gjitha për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Pa rrugë, pa energji elektrike, pa shërbim mjekësor, këta banorë herë pas here detyrohen të vënë dorë vetë në rregullimin e saj. Para pak kohësh, me foracat e tyre kanë rregulluar një pjesë të kanalit anësor, pasi shirat e rrëmbyeshëm vazhdojnë t’a gërryejnë së tepërmi. Zona e Shllakut është një ndër më të varfërat dhe si e tillë ka nevojë për mbështetje, në mënyrë që i gjithë ky realitet gri të përmirësoj jetën e këtyre banorëve.

Artikulli paraprakZHBLLOKOHET RRUGA PREKAL-KIR
Artikulli tjetërDEPUTETI SPAHIA: “MINISTRIA KËRKON MJEKËT QË LARGOI”