Rumani, pranga për favorizim prostitucioni shefit të policisë Autoritetet rumune kanë arrestuar shefin e policisë të qytetit jug-lindor të Mizilit dhe tre anëtarë të një grupi prostitucioni, operacionet e të cilit mbroheshin nga zyrtari i lartë.

Drejtori i policisë Marius Rotaru dhe tre trafikantët u ndaluan nën dyshimin se kishin krijuar një organizatë kriminale që trafikonte të mitur e të rritur, si dhe ishte aktive në grabitje, përdhunime dhe abuzim me anë të forcës. Prokurorët dyshojnë se grupi ka qenë aktiv që prej dhjetorit 2015, kur anëtarët e tij filluan të rekrutonin vajza për t’i shfrytëzuar për prostitucion në rrugët e Mizilit. Sipas prokurorëve të çështjes, vajzat shpesh herë binin pre e abuzimeve të ashpra fizike. Oficeri Marius Rotaru dyshohet se ka mbrojtur rrjetin e tutorëve, duke përdorur pushtetin e tij si shef policie për t’i ndihmuar që t’i shpëtonin ndjekjeve penale. Sipas mediave rumune, disa nga vajzat bënë denoncime të vazhdueshme në polici, por kjo e fundit, nën drejtimin e Rotaru nuk veproi në asnjë rast. Madje, prokurorët besojnë se zyrtari i lartë u kërkonte vajzave favore seksuale në këmbim të ndihmës. Departamenti amerikan i Shtetit e konsideron Rumaninë si vend burim, tranziti dhe destinacion të trafikut të qënieve njerëzore për qëllime seksuale dhe deklaron se, shtetasit rumunë përbëjnë një “burim të rëndësishëm” të viktimave të këtyre trafiqeve në Europë, një pjesë e mirë e të cilëve janë fëmijë.

Artikulli paraprakKOSOVA LETER NE OKB KUNDER JEREMIC
Artikulli tjetërOBAMA DENON TESTIN BERTHAMOR TE KORESE SE VERIUT.PREMTON SANKSIONE TE REJA