Sezoni turistik në Shqipëri shihet si optimist. Operatorët turistikë bien dakord se tregje të tillë si Ukraina dhe Bjellorusia, ku nuk ka masa që imponohen nga Bashkimi Europian, mund të kenë prani të gjerë në bregdetin shqiptar, që tashmë e kanë nisur. Ndërsa për Rusinë, një treg i madh dhe i rëndësishëm, vendimi është politik dhe do të varet shumë nga lobimet që bëhen mes qeverive.

Vendimet e Bashkimit Europian për hapjen do të jenë gjithashtu vendimtare për turistët potencialë që mund të na vizitojnë ku zviceranët, polakët dhe çekët kanë dhënë një miratim paraprak, ndërkohë që gjermanët dhe nordikët mbeten skeptikë. Mbyllja që zbatoi Kosova si masë për të parandaluar përhapjen e COVID-19, në jo pak raste bëri që në dogana të krijoheshin radhë të gjata me shtetas që i drejtoheshin Shqipërisë, e cila nuk aplikoi mbyllje në asnjë moment. Operatorët turistikë vendas shprehen se pandemia i ktheu sytë nga Kosova duke i dhënë një rëndësi më të madhe dhe duke përshtatur paketa të dedikuara për këtë treg. Situata e vështirë ku ndodhen ekonomitë e thuajse gjithë globit prej pandemisë ka sjellë një konkurrencë agresive në tërheqjen e turistëve sapo të bëhet hapja.

Vaksinimi i ishujve kryesorë turistikë, i punonjësve të sektorit e dhënia e ndihmave financiare për të rindezur motorët e aktivitetit janë parë me përparësi nga vendet që kanë turizmin si sektor kryesor. Sa i takon mbështetjes që qeveria i ka dhënë sektorit të turizmit, Shqipëria mbetet pas ndërkohë që gara me konkurrentët rajonalë pritet të jetë më agresive. Operatorët turistikë vlerësojnë se hapja e Greqisë pa kushte të një pasaporte vaksinimi dhe mirëpritja e turistëve nga të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kina e Rusia mund të bënin që Shqipëria të humbasë një pjesë të mirë të turistëve dhe bëhet fjalë për ata elitarë.

Flasim për një Shqipëri që mesatarisht siguron, sipas një studimi të fundit, gati 390 USD për turist, ndërkohë që Kosova ka dyfishin e të ardhurave për turist. Ka një turist me potencial pasi ka diasporën që paguan dhe shpenzon. 2.5 herë më shumë për turist. Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë se cila do të jetë situata e turizmit në vend, bazuar në ngjarjet që do të ndodhin me Europën dhe hapjen e fqinjëve. Deri më tani nuk ka një lëvizje të madhe dhe në zonat turistike pjesa më e madhe janë vetë shqiptarët që lëvizin në qytete të ndryshme duke i dhënë një dorë turizmit, sektor i cili u përball me shumë vështirësi.

Artikulli paraprakLAJM I MIRE/ASNJE PACIENT ME COVID-19 NE SPITALIN RAJONAL TE SHKODRES
Artikulli tjetërSHKODËR, DERMATOLOGIA: EKSPOZIMI NË DIELL KANCEROZ