Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë pranuar se ka shumë pak mbështetje nga Perëndimi për një ndërhyrje ushtarake ndaj qeverisë siriane

, teksa kanë shqyrtuar mbi mënyrat e presionit ndaj presidentit Bashar al-Assad dhe mbështetësit kryesor të tij, Rusisë, për të ndalur ofensivën vdekjeprurëse në Aleppo. Megjithatë, ata e kanë prezantuar këtë si një mundësi. Pas takimit të 11 qeverive kundërshtare të regjimit të Assadit, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, këmbëngulën gjatë së dielës se të gjitha mundësitë janë mbi tryezë. Por, shpjegimet e zymta në lidhje me rrezikun e përdorimit të forcës ushtarake duket se e përjashtojnë një mundësi të tillë. Rezultati është një kërcënim “skizofrenik” që me shumë gjasë nuk do të mund të frikësojë qeverinë e Assadit apo Rusinë, teksa këta të fundit vijojnë ofensivën për të marrë kontrollin e zonës së fundit të kontrolluar prej rebelëve në Aleppo, dikur qyteti më i madh i Sirisë. “Kur në një betejë të tillë përfshihet një fuqi e madhe, siç Rusia ka zgjedhur të jetë duke shkuar atje e duke vendosur raketat në gatishmëri për të kërcënuar popujt kundër një veprimi ushtarak, kjo i rrit së tepërmi mundësitë e konfrontimeve”, tha Kerry pas takimit në Londër. Sipas tij, askush nuk duhet të “ndezë pishtarin” e një lufte të madhe mes sektesh në Lindjen e Mesme, apo të krijojë mjedisin e një përballjeje mes superfuqive me njëra-tjetrën. Johnson, nga ana e tij, tha se Britania dëshiron të shtojë presionin ndaj Assadit, Rusisë dhe Iranit. “Asnjë opsion, në parim, nuk është jashtë kësaj tryeze”, tha ai për reporterët. E duke zgjeruar më tej përgjigjen e tij, Johnson u shpreh: “Nuk kam asnjë dyshim se, këto të ashtuquajtura opsione ushtarake janë ekstremisht të vështira. Ndërsa për ta shprehur më lehtësisht, ekziston një mungesë oreksi në shumicën e kryeqyteteve europiane, e mbi të gjitha në Perëndim, për një zgjidhje të tillë në këtë moment. Ndaj, ne duhet të punojmë me mjetet që kemi në dispozicion, – tha ai. – E këto mjete sigurisht që për momentin janë diplomatike”. Takimi në Londër erdhi pas një frustrimi gjithnjë e në rritje të ndërkombëtarëve mbi konfliktin afro 6-vjeçar në Siri, që ka lënë të vrarë rreth gjysmëmilioni njerëz, ka shkaktuar krizën më të rëndë të refugjatëve në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore, si dhe u ka mundësuar militantëve të Shtetit Islamik të ngrihen në nivelin e një kërcënimi terrorist global. Kerry nisi të shtunën një proces të ri diplomacie me ata që ai i përshkroi si lojtarë madhorë ndërkombëtarë të përfshirë në këtë luftë, duke iu referuar SHBA-ve, Rusisë, Arabisë Saudite, Iranit, Turqisë, Katarit, Jordanisë, Irakut dhe Egjiptit. Përpjekjet e reja zëvendësojnë kështu armëpushimin e negociuar mes SHBA-ve dhe Rusisë të muajit të kaluar, që u shkel pas vetëm një jave, si dhe pas bisedimeve të braktisura mes Uashingtonit dhe Moskës mbi një partneritet ushtarak kundër grupit të Shtetit Islamik dhe militantëve të al-Qaeda-s. Në takimin e së dielës ishin edhe dy aleatë arabë të Amerikës, ndërsa të shtunën pati vetëm prani të vendeve europiane, mes të cilëve jo të gjithë u shfaqën të bindur mbi përpjekjet e Kerryt. “Nuk ka ende një hap përpara drejt armëpushimit”, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault. Edhe vet Amerika ka shprehur skepticizëm mbi mundësitë e një marrëveshjeje diplomatike me mbështetësit ushtarakë të Assadit, Rusinë dhe Iranin. Por, presidenti Barack Obama duket se nuk do të miratojë një ndërhyrje ushtarake përpara se të largohet nga Shtëpia e Bardhë. Ai ka refuzuar vazhdimisht një veprim të tillë ndaj Assadit, sikurse edhe 3 vite më parë kur udhëheqësi sirian kaloi “vijën e kuqe” të Obamës duke përdorur armët kimike.

Artikulli paraprakNIKOLLA: REFORMA NË ARSIM NDRYSHOI RRËNJËSISHT SISTEMIN
Artikulli tjetërLËKUNDJE TË REJA TËRMETI… EKSPERTËT: FRIKË PËR NJË TËRMET TË FUQISHËM