Shërbimet e zjarrfikësve, përcaktohen pagesat për bashkitë. Qeveria ka miratuar tarifën e shërbimit për zjarrfikëse që bashkitë që nuk kanë stacione të tilla duhet të paguajnë për bashki të tjera.

Sipas vendimit të marrë nga qeveria në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave është vendosur që pagesat duhet të jenë 15 000 lekë për orë pune. “Tarifa e shërbimit për shuarjen e zjarreve apo për shpëtimin, në raste aksidentesh dhe fatkeqësish të tjera, ofruar nga bashkitë e pajisura me stacione të këtij shërbimi në territorin e bashkive që nuk kanë stacione të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, është 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë për orë pune”, thuhet në pikën 1 të vendimit të qeverisë. Sipas vendimit, kostoja e shërbimit të ofruar llogaritet nga momenti i daljes së personelit të shërbimit të MZSH-së nga stacioni zjarrfikës dhe përfundon me largimin e tij nga vendi i ngjarjes. “Shumat e arkëtuara nga bashkitë që kërkojnë ndërhyrje për shuarjen e zjarreve apo në raste aksidentesh e fatkeqësish të tjera, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, derdhen në llogaritë e bashkive që kanë ofruar shërbimin dhe përdoren vetëm për financimin e veprimtarisë së shërbimit të MZSH-së së bashkisë”, thuhet në pikën 4. Shpenzimet për ndërhyrjet e kryera nga një bashki në një bashki tjetër përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për shërbimin e MZSH-së, ndërsa Ministria e Brendshme zbaton këtë vendim, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Artikulli paraprakÇESHTJA ÇAME: DEPUTETI I PDIU SULMON METEN:QENDRIME ANTISHQIPTARE
Artikulli tjetërSHKOPET,MAKINA BIE NE GREMINE,SHPETOJNE DY TE RINJTE