Shërbimet inteligjente gjermane japin alarmin “Arabia Saudite, Katari dhe Kuvajti financojnë ekstremizmin islamik në Gjermani”

Shërbimet inteligjente gjermane japin alarmin se disa shtete të Gjirit Persik po financojnë grupet ekstremiste islamike në Gjermani. Lajmi është publikuar nga televizionet publike NDR e WDR si dhe e përditshmja Syddojçe Cajtung, të cilat i referohen një raporti sekret të agjencive gjermane të inteligjencës, që është siguruar prej tyre. Raporti ngre shqetësimin se shtete si Arabia Saudite, Kuvajti e Katari, po financojnë grupet salafiste në Gjermani. Përllogariten mbi 10 mijë mbështetës të këtyre grupimeve në mbarë vendin dhe aktualisht mbështetja për ta është në rritje. Sipas raportit të përbashkët të Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës, siç njihet ndryshe agjencia e brendshme e inteligjencës dhe Shërbimit Federal të Inteligjencës që është edhe agjencia e informacioneve sekrete që vijnë nga jashtë, vendet e gjirit po financojnë xhamitë, shkollat fetare e klerikët ekstremistë për të përhapur ideologjitë ekstremiste islamike. Në raport përmenden emrat e organizatave që marrin financime nga vendet e gjirit dhe janë Lidhja Botërore Saudite e Myslimanëve, Shoqata Bamirëse Sheik Eid Bin Mohamed al-Thani dhe shoqata kuvajtiane për Rigjallërimin e Trashëgimisë Islamike. Këto organizata janë të ndaluara në Shtetet e Bashkuara dhe Rusi, pasi akuzohen se kanë mbështetur terroristët e Al-Kaedës. Diplomatët sauditë në Gjermani hedhin poshtë pretendimet e inteligjencës gjermane dhe thonë se qeveria e Riadit nuk financon asnjë nga këto fondacionë madje asnjë projekt për ndërtim xhamish e arsimim imamësh. Raporti vjen vetëm pak javë pas një aksioni të gjerë të policisë gjermane në disa xhami salafiste, ku dyshohej se rekrutoheshin militantë për të luftuar në Siri e Irak për llogari të Shtetit Islamik dhe mblidheshin financime për ta. Aty planifikoheshin edhe sulme terroriste në Gjermani. Statistikat tregojnë se rreth 820 xhihadistë janë nisur nga Gjermania drejt Lindjes së Mesme gjatë viteve të fundit. Alarmi për terrorizmin në vend është shtuar pas fluksit masiv të refugjatëve të vitit të kaluar, kur në Gjermani mbërritën rreth 900 mijë refugjatë.

Artikulli paraprakVETËM 11 NË 1000 PERSONA DHUROJNË GJAK NË NJË VIT NEVOJITEN RRETH 31 MIJË NJËSI
Artikulli tjetërI RIU MASHTRON DEPUTETIN E PS, I MERR MILIONA LEKË