E nisur para pak vitesh për t’u ndërtuar si qendër e informacionit turistik nuk u arrit që të realizohej. Për disa kohë ajo ndërtesë vetëm me muret mbeti e tillë deri sa u shemb nga inspektoriati i ndërtimit të bashkisë Shkodër me pretendimin se ajo godinë kishte nisur të ndërtohej jashtë rregullave.

Që në atë kohë u përfol shumë për ndërtimin e një qendre të re të informacionit për turizmin në Shirokë për të mbuluar edhe Zogaj apo ndonjë zonë tjetër të rëndësishme aty afër.

Megjithatë qendra e informimit mbeti thjeshtë një ide dhe asnjëherë nuk u arrit që të ndërtohej. Mungesa e një qendre të tillë qoftë edhe modeste padyshim që e dëmton gjithë atë pjesë, ndër më të rëndësishmet që Shkodra ka.

Të gjithë mburren me bukuritë natyrore dhe resurset që ka Shiroka, Zogaj apo mali i Taraboshit si një mburoje e liqenit por deri më tani nuk është gjetur një zgjidhje për t’i ofruar të paktën një zyrë të vogël ku turistët, kryesisht të huajt të mund të marrin informacionet që duan.

Të gjithë turistët apo vizitorët duhet më parë të vijnë në qendër të Shkodrës dhe pasi marrin informacion aty të shkojnë më pas në pikat turistike që dëshirojnë mes të cilave edhe Shiroka dhe Zogaj.

Kjo nuk e zgjidh problemin por përkundrazi i vështirëson atë. Të gjithë ata që shkojnë direkt në Shirokë ose Zogaj nuk kanë një vend të posaçëm se ku të drejtohen gjë e cila nuk është aspak pozitive.

Përveç asaj çfarë shihet me sy të lirë në liqenin e Shkodrës ka edhe shumë vende të tjera të cilat mund të shijohen nga të huajt duke rritur kështu jo vetëm numrin e turistëve por vëmendjen për atë zonë.

 

Artikulli paraprak“FJALOR ENCIKLOPEDIK I VRESHTIT DHE I VERËS”
Artikulli tjetërNË SHKODËR S’KA VETËM TIFOZË GJERMAN