Është shkarkuar nga detyra drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Agron Hetoja.
Vendimi për shkarkimin e tij u mor gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, me propozim të Ministrit të Bujqësisë, Bledi Çuçi.
Kreu i ri i këtij insititucioni, po sot, u emërua Robert Lili.

“Falenderojmë z.Hetoja për kontributin e deritanishëm dhe punën në drejtimin e AKU-së. Në vend të tij, po sot, është emëruar kreu i ri i këtij insititucioni, z.Robert Lili. Shprehim besimin se ai do të çojë përpara procesin e transformimit të AKU-së dhe do të vijojë me vendosmëri punën për rritjen e sigurisë ushqimore në vend,”-njofton kryeministria.

Qeveria raporton se vendimi për shkarkimin Agron Hetojas u mor në kuadër të procesit të ristrukturimit që do t’i bëhet AKU-së, ndryshimeve ligjore që pritet të kalohen në Parlament dhe gjithë transformimit që do të pësojë institucioni më i rëndësishëm i sigurisë ushqimore në vend.

Hetoja u emërua në krye të AKU në 6 shkurt të këtij viti. Ai mori postin pasi qeveria shkarkoi nga detyra, drejtorin e asaj kohe të AKU, Agim Ismailin.

Para se të vihej në krye të AKU, Hetoja ka qenë edhe drejtor Korporatës Energjetike Shqiptare (KESH).

Artikulli paraprakPRANGA 3 GRAVE QË TENTUAN TË VIDHNIN MINIMARKETIN
Artikulli tjetërARRESTOHEN 3 PERSONA, PROCEDOHEN 5 TË TJERË