Një prej pyetjeve më të shpeshta që shtrohet në Shkodër sot por edhe e kthyer në një diskutim në gjithë Shqipërinë është se a do të qëndrojë apo Voltana Ademi si kryetare e bashkisë Shkodër duke qenë se asaj i mbaroi mandate me 20 gusht por vijoi ta mbajë postin sepse Valdrin Pjetri që duhej të merrte mandatin dha dorëheqjen edhe pse fitoi në zgjedhjet e 30 qershorit. Sulmet e opozitës dhe një document për një dënim në Itali bashkë me distancimin e kryeministrit Rama bënë që Pjetri të japë dorëheqjen, dorëheqje kjo e cila krijoi një lloj kaosi për bashkinë Shkodër.

Mundësitë për kryebashkiaken Ademi janë disa të ndryshme ndërsa ajo vetë siç edhe e shprehur publikisht pretendon që të qëndrojë në detyrë në këtë situatë tranzitore derisa të zhvillohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme jo vetëm në Shkodër por në mbarë Shqipërinë. Pavarësisht kësaj dëshire, më shumë se kushdo qëndrimin ose jo të Ademit në detyrë e ka këshilli i ri bashkiak i Shkodrës që u konstitua pak ditë më parë pavarësisht kundërshtive dhe protestës së opozitës jashtë mjediseve ku po bëhej konstituimi e rrethuar me 300 forca policie.

Nga sa mësohet shumë shpejt këshilli i ri bashkiak i përbërë kryesisht nga anëtarë të PS dhe PSD dhe parti të vogla do të zhvillojë një mbledhje tjetër. Deri më tani të sigurta janë dy pika të rendit të ditës, e para hedhja në diskutim e bllokimit të lëvrimit të fondeve nga dega e thesarit për investimet dhe shërbimet e bashkisë Shkodër dhe pika e dytë do të jetë pikërisht për të vendosur mbi fatin e kryebashkiakes në detyrë Voltana Ademi nëse do të qëndrojë apo jo në atë post.

Përveç këtyre do të ketë edhe disa pika të tjera që ende nuk janë zbardhur. Sipas burimeve nga të majtët me shumë mundësi këshilltarët e rinj do të vendosin për largimin e kryebashkiakes në detyrë Ademi duke qenë se asaj me 20 gusht i ka mbaruar mandate dhe mund të emërohet një nga zëvendëskryetarët aktual të bashkisë. Kjo është njëra mundësi ndërsa shanset që Ademi të vijojë detyrën janë më të vogla.

Nga ana tjetër ende nuk është përcaktuar vendi se ku do të zhvillohet kjo mbledhje e këshillit bashkiak pasi ka dyshime nëse salla e këshillit do të vihet në dispozicion apo jo nga bashkia dhe nëse jo atëherë këshilli i ri duhet që të gjejë një vend tjetër për ta zhvilluar mbledhjen. Pikëpyetjet se çfarë do të ndodh në bashkinë Shkodër janë të shumta ndërsa opozita është kundër çdo vendimi të socialistëve duke qenë se nuk i njeh zgjedhjet vendore të 30 qershorit nga ku doli këshilli ri bashkiak.

 

 

Artikulli paraprakSHPËRNDAHET KUVENDI, KOSOVA NË ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME
Artikulli tjetërBLLOKIMI I PUNIMEVE NË THETH, RAMA: NISIN JAVËN TJETËR