Komisioni i Emergjencave Civile në Prefekturën e Qarkut Shkodër në informacionin e ditës së sotme bën të ditur se nga Njësia e Kujdesit Vendor Shëndetësor po ndiqet situata epidemiologjike në të gjithë territorin e Qarkut Shkodër për gjurmimin e të ardhurve nga vendet e infektuara duke i udhëzuar për ndjekien e vetëkarantimit. Sipas njoftimit të Emergjencave, nga strukturat e policisë, ushtrisë, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe policive bashkiaka po ndiqen dhe zbatohen urdhërat e akteve normative të qeverisë.

Komisioni i Emergjencave bën të ditur se po monitoron situatën dhe koordinon strukturat në të gjithë territorin si dhe po koordinon gjithashtu punën me të gjitha bashkitë në mbështetje të komunitetit në nevojë me ndihma ushqimore. Po ashtu vazhdojnë kontrollet në bare, restorante, lokale, markete dhe çdo njësi tjetër të cilat pas orës 13:00 duhet të qëndrojnë të mbyllura ose në të kundërt mund të gjobiten.

Në këtë njoftim te situates thuhet se edhe në qarkun Shkodër në orët e para të mëngjesit kanë filluar reshjet e borës mbi lartësitë 400 metër duke prekur kryesisht bashkitë Pukë, Fushë Arrës dhe disa Njësi Administrative të këtij qarku. Nga ana tjetër raportohet se nga dogana e Hanit të Hotit kanë hyrë 137 udhëtarë prej të cilëve 42 shtetas shqiptar dhe 95 të huaj.

Artikulli paraprakRAMA: DO HUMBASIM NUK E DI SE SA NJERËZ, POR DUHET TË DALIM KOKË-LART NGA KJO LUFTË, JO TË HUMBASIM NJË MAL ME NJERËZ!
Artikulli tjetërNË SOLIDARIZIM ME SITUATËN NË ITALI, BASHKIA SHKODËR ËSHTË NDRIÇUAR ME NGJYRAT E FLAMURIT ITALIAN