Një aksident ka ndodhur në rrugën Shkodër-Hani Hotit. Dy mjete janë përfshirë në këtë përplasje të ndodhur mbrëmjen e djeshme në vendin e quajtur Vija e Vrakës. Nga aksidenti i ndodhur kanë mbetur të lënduar 6 persona mes te cilëve dy me dëmtime më të rënda se të tjerët. Nga sa mësohet i lënduar është edhe një fëmijë që po udhëtonte në njërën prej makinave që u përfshin në këtë aksident.

Gjithsesi sipas burimeve nga vendngjarja të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën. Në fakt përplasja e mjeteve të aksidentuara ka qenë e fortë por fatmirësisht personat që ndodheshin brenda dy mjeteve kanë shpëtuar mrekullisht.

Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë një ambulancë e shërbimit kombëtar të urgjencës duke bërë transportimin e të lënduarve për t’i dhënë ndihmën e parë në spitalin rajonal të Shkodrës. Ndërkohë pas aksidentit në vendngjarje kanë shkuar edhe shërbimet e policisë rrugore të Shkodrës duke bërë të mundur hetimet paraprake për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti të ndodhur.

Nga veprimet e para dyshohet se aksidenti ka ardhur nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe tejkalimi i shpejtësisë mbi normat e lejuara. Aksi Shkodër -Hani Hotit vazhdon që të jetë problematik sa i përket aksidenteve të ndodhura. Ky aks rrugor tejet i rëndësishëm pasi lidh Shqipërinë me Malin e Zi është kthyer tashmë prej vitesh një prej njollave të zeza sa i përket aksidenteve të ndodhura kryesisht gjatë natës.

Numri i aksidenteve mbetet i lartë ashtu si edhe numri i atyre që humbin jetën apo plagosen rëndë. Pavarësisht masave shtërnguese të policisë rrugore me dyfishim të gjobave të vendosura në këtë periudhë sërish aksidentet në atë aks rrugor janë një shqetësim.

Ndërkohë edhe në rrugë të tjera ku ka një fluks të shtuar lëvizjesh në këto ditë të muajit gusht sërish numri i aksidenteve mbetet i lartë kryesisht nga mos respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, tejkalimi i shpejtësisë mbi normat e lejuara apo edhe përdorimi i telefonit.

Artikulli paraprakEDHE KRYEPESHKOPI JANULLATOS NDËRHYRI PËR ZGJIDHJEN E EMERGJENCËS HUMANITARE NË KAKAVIJË
Artikulli tjetërSITUATA NË KAKAVIJË/ META: KA TË BËJË ME PËRGJEGJËSITË E PAUSHTRUARA NGA QEVERIA