Situata e degraduar për vite me radhë e objekteve historike në Shkodër ka ngacmuar të rinjtë e Këshillit Rinor Arka në Shkodër për t’i dhënë jetë pas shumë vitesh harresë lapidarit tek shkolla “28 Nëntori”.

Antonio Shllaku është ai që dha idenë për t’i ndryshuar imazhin këtij lapidari historik për shumë breza ndërsa u deshën vetëm dy ditë që të rinjtë të pikturojnë këtë vajzë dhe lulet e saj shumëngjyrëshe.

Nermin Shurdha bëri skicën e kësaj pikture ndërsa rrëfen se çfarë simbolizon vajza me të kuqe dhe lulet shumëngjyrëshe që i kanë dhënë një imazh krejt tjetër lapidarit duke e zhveshur nga simbolika e mëparshme e regjimit monist.

Dhjetra të rinj të Këshillit Rinor Arka u aktivizuan për të ngjyrosur lapidarin. Valmira Hoxha është një prej e tyre e cila ka përjetuar ndjesi të bukura ndërsa ka edhe një thirrje për brezin e ri.

Ky lapidar historik i Shkodrës përmban të kaluarën e shumë brezave që në fund vitet ’60 kur u ndërtua dhe deri pas viteve 2000.

Dikur pjesë e oborrit të shkollës që atëherë quhej 28-29 Nëntori, sot 28 Nëntori ky lapidar u ndërtua nga një shqiptar që jetonte në Poloni në nder të dëshmorëve të atdheut ndërsa mbante sipër mbishkrimin “Lavdi Dëshmorëve” dhe yllin e kuq, simbol i komunizmit.

Në fillim vitet ’90 kur regjimi ndryshoi dhe u hoq rrethimi i shkollës 28 Nëntori, lapidari mbeti një objekt publik. Dhjetra breza pas viteve ’90 por edhe më përpara të rinjtë e shkollës kaluan kohët e tyre më të bukura duke ia humbur simbolin për të cilin ishte ndërtuar.

Të rinjtë e fillim viteve ’90 e shfrytëzuan edhe si një vend për të shfryrë rebelizmin e tyre ndaj regjimit monist ndërsa grupe të ndryshme nisën të mblidheshin aty duke kënduar e duke qëndruar me orë të tëra.

Shumë shpejt u bë një epiqendër e rëndësishme deri pas vitit 2005 kur nga një vend ku lindën dashuri të panumërta u kthye në një skutë të konsumimit të hashashit duke e lënë për vite me radhë në harresë.

Pas 15-20 viteve nga degradimi ky lapidar falë një ideje të Këshillit Rinor Arka është rigjallëruar nga kjo pikturë e realizuar prej tyre me shpresën për t’i dhënë sërish jetë ashtu siç bënë brezat e pas viteve ’90.

Artikulli paraprakSHKODËR, NË NJË JAVË POLICIA PROCEDON 141 PERSONA
Artikulli tjetërGJYKATA E SHKODRES:ARREST ME BURG PER DY SHKODRANET E NDALUAR NE TIRANE