Ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në Shkodër kanë bërë që Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar t’i drejtohet popullit shkodran dhe atij shqiptar me një mesazh sensibiluzes duke kërkuar që të ndalen vrasjet, gjakmarrjet dhe hakmarrjet. Ndrek Deda, nënkryetar i kësaj shoqate në Shkodër shprehet se vrasja është një akt terrori ndaj jetës së njeriut ndaj kërkon që të ndalet gjakderdhja.

Deda kërkon që të lihen mënjanë urrejtjet dhe të zëvendësohen me faljen e paqen. Misionari i pajtimit bëri këtë deklaratë pas vrasjes së Ismet Çekores afër banesës së tij në Shkodër pak ditë më parë pasi ky i fundit doli me një deklaratë duke mbrojtur djalin e tij Bajram Çekorja si i papërfshirë në ngjarjet kriminale për të cilat është dyshuar. Ja deklarata e plotë e misionarit Ndrek Deda:

“Në emër të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombvëtar jap një mesazh për popullin e Shkodrës për parandalimin e vrasjeve, hakmarrjeve dhe gjakderdhjes. Jo gjakderdhje o vëllezër por durim dhe falje për gjërat e vogla. Sensibilizim dhe qytetërim. Vrasjet janë akte terrori ndaj jetës së njeriut, kulturës shqiptare dhe qytetërimit europian. Kujtohu nganjëherë o njeri se është shumë e shkurtër kjo jetë.

Lërini mënjanë urrejtjet dhe mëritë. Jetë të dytë nuk mund të ketë. Ngjarja kryesore e kohëve të fundit është vrasja e Ismet Çekores i cili u vra barbarisht përpara shtëpisë së tij në një kohë kur ne nuk e quajmë një njeri me faj por ishte një person i nderuar”.

Ndrek Deda, 67 vjeç është prej 13 vitesh pjesë e shoqatës së Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar dhe prej pak kohësh ka marrë rolin e nënkryetarit për degën e Shkodrës duke u munduar që të sjellë pajtime e paqe mes familjeve dhe individëve që janë në gjakmarrje.

Artikulli paraprakSPAHO NË KUVEND: PREJ MUAJSH I RENDITUR NË FUND. IRONIA E RAMËS: ËMBËLSIRA PËR NË FUND
Artikulli tjetërBEGAJ NË TAKIMIN ME MATTARELLËN: MIRËPRESIM RRITJEN E INVESTIMEVE NGA ITALIA