Policia e Shkodrës ka arrestuar një person me rrezikshmëri të lartë. Në pranga ka rënë shtetasi Françesk Vala 26 vjeç ndërsa bashkë me të është arrestuar edhe shtetasi M.Gështenja. 26 vjeçari Françesk Vala është njëri prej autorëve të një pengmarrjeje të dy personave, ngjarje e ndodhur në 21 nëntor të vitit 2015 në zonën e Dukagjinit. 26 vjeçari është arrestuar në lagjen “Rus” në Shkodër teksa po lëvizte me një makinë tip benz ML bashkë me shtetasin M.Gështenja.

Pas një operacioni të mirëorganizuar u arrit arrestimi i 26 vjeçarit që policia e ka në skedën e saj si një person me rrezikshmëri të lartë. 26 vjeçari sipas burimeve është i dënuar në mungesë nga gjykata e apelit për krime të rënda me 8 vite burg. Operacioni për arrestimin e tij është bërë nga policia e Shkodrës, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit. Françesk Vala është i dënuar bashkë me 6 persona të tjerë për pengmarrjen e dy vëllzërve S.K dhe A.K. Shkak i kësaj pengmarrje dyshohet të jenë pazaret e drogës askohe.

Njëri prej vëllezërve është liruar nga pengmarrja me idenë për të gjetur 10 mijë euro ndërsa vëllai i tij është mbajtur 6 ditë peng në Dukagjin derisa ka ndërhyrë policia përmes një operacioni duke bërë të mundur lirimin e pengut dhe arrestimin e 3 prej autorëve të dyshuar. Fillimisht policia arrestoi shtetas Tom Shkrepa, Lekë Shkrepa dhe Kolë Dushku ndërsa në kërkim që në 2015-ën janë Pëllumb Dushku dhe Pal Dushku bashkë me dy vëllezërit Lin Vala dhe Françesk Vala.

Ky i fundit u arrestua bashkë me shtetasin M.Gështenja që dyshohet për dhënie ndihme të autorit të dyshuar pas kryerjes së krimit. Dy vëllezërit janë rrëmbyer njëlloj si në filmat aksion. Teksa ndodheshin në qytetin e Shkodrës, pesë prej pengmarrësve u janë afruar dhe u kanë drejtuar armët.

Në atë moment vëllezërit S.K dhe A.K nuk kanë mundur që të bëjnë asnjë lloj lëvizje sepse janë gjendur të rrethuar dhe me armët drejtuar nga ana e tyre. Më pas ata janë dërguar në Pult të Shkodrës. Njëri prej vëllezërve është liruar me kusht që të gjejë paratë, plot 10 mijë eurot e kërkuara nga pengmarrësit ndërsa tjetri u mbajt për 6 ditë me radhë në një stan bagëtish atje derisa ndërhyri policia. Policia po punon për kapjen e persona të tjerë që janë në kërkim dhe të dënuar për këtë ngjarje.

Artikulli paraprakREVOLTOHET META: S’DO I HARROJ KARAGJOZËT QË BËJNË PROVA FORCE ME MUA PËR TEATRIN
Artikulli tjetërIBRAHIM LICI REFUZON OFL, BABAI: NUK ËSHTË SUBJEKT I LIGJIT