Policia vendore e Shkodrës ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar 8 kilogram drogë duke goditur kështu një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike. Në këtë mënyrë është finalizuar operacioni i koduar “Shtoi”, zhvilluar nga Sektori Kundër Narkotikëve në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Hanit të Hotit.

Policia e Shkodrës bën me dije se në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një tentativë për trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të Malit të Zi, pas një pune të mirëorganizuar, nga ana e Seksionit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër në kuadër të operacionit policor të koduar “Shtoi”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve me inicialet F. K, 28 vjeç banues në Shtoj Shkodër dhe K. G, 23 vjeçe, banuese në Shkodër.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga Sektori Kundër Narkotikëve, se shtetasi me inicialet F.K, po transportonte lëndë narkotike me automjetin e tij, në drejtim të Pikës të Kalimit Kufitar Hani i Hotit me qëllim trafikimin e saj në Malin e Zi, menjëherë është organizuar dhe koordinuar puna me

Stacionin e Policisë Kufitare Hani i Hotit dhe autoritetet doganore ku automjeti sëbashku me drejtuesin dhe pasagjeren sapo kanë hyrë në pikën e kalimit, janë kaluar në vijën e dytë për kontroll të detajuar. Gjatë kontrollit në gomën rezervë të automjetit, Policia gjeti e sekuestroi 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar si lëndë narkotike mariuanë me peshë totale 8 kilogramë. Mësohet se dy shtetasit që ishin në mjet janë çift të fejuarish.

Dyshohet se sasia e drogës që po transportohej drejt Malit të Zi kishte destinacion vendet e Europës. Trafikimi i drogës nga Shkodra drejt shtetit fqinj përmes rrugëve tokësore në pikat doganore mbetet një shqetësim. Pavarësisht goditjes të disa rasteve sërish grupe apo individë të ndryshëm arrijnë që të trafikojnë sasi të ndryshme droge.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, MUZEU I DËSHMISË I PREFERUAR NGA TË RINJTË
Artikulli tjetërBASKET MESHKUJ, VLLAZNIA-PARTIZANI 96-83, RIKTHEHET QETËSIA