Mungesa e kushteve higjieno-sanitare rrezikon seriozisht shëndetin e konsumatorëve shkodranë të cilët blejnë produkte të cilat shiten në trotuaret e rrugëve, në kuti të vendosura një mbi një ose thjesht të vendosura në rrugën ku kalojnë qindra automjete gjatë ditës.

Siç duket edhe nga pamjet, tregu I fruta-perimeve në lagjen Rus nuk përmbush asnjë kusht për të qenë I tillë pasi së pari mungojnë tezgat për t’i mbrojtur këta produkte nga dielli.

Problem në këtë zonë mbetet edhe grumbullimi i mbetjeve të ndryshme në afërsi të vendit të tregtimit, siç janë rastet e tregtarëve të peshkut të cilët përveçse e tregojnë peshkun duke e vendosur në trotuar jashtë çdo kushti sanitar dhe standardi, mbetjet gjatë pastrimit i mbajnë në dyqan deri kur të mbyllet aktiviteti I tyre ditor.

Një fenomen I tillë, jo vetëm rrezikon edhe përhapjen e epidemive duke marrë shkak edhe nga temperaturat e larta këto ditë. Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë ato të cilët duhet të jenë gjatë gjithë kohës në kontakt me kushtet në të cilat shesin tregtarët e produkteve ushqimore.

Një gjë e tillë ndodh vetëm në ditë të caktuar të vitit, ndërkohë që pjesën tjetër tregtarët janë të lirë të tregtojnë produkte nga më të ndryshmet në kushtet më të rrezikshme. Konsumatorët janë ato të cilët duhet të tregohen të vëmendshëm gjatë momentit të përzgjedhjes së produkteve, pasi jo gjithmonë ajo çfarë tregtohet nga fermerët është “Bio”.

Situatë disi më e stabilizuar paraqitet në merkatën e Rusit, ku tregtarët taksapagues janë më të rregullt në tezgat e tyre dhe larg pluhurit të rrugës.

Artikulli paraprakKONSTITUIMI I BASHKISË, ZEF GJONI: NUK DUAM 2 PRILL TË DYTË
Artikulli tjetërSHKODËR, DËMTOHEN STOLAT E LULISHTES