Policia vendore e Shkodrës ka arrestuar dy shtetas të cilët janë kapur me 7.2 kilogram lëndë narkotike e dyshuar si canabisa sattiva.

Në pranga kanë rënë shtetasit Izmir Gjeka 31 vjeç dhe shtetasi Ervin Nurja 23 vjeç që të dy banues në Shkodër. Këta dy shtetas po udhëtonin me makinën e tyre nga Shkodra drejt Malit të Zi por janë arrestuar në tentativë për të kaluar pikën kufitare të Muriqanit.

Policia vendore e Shkodrës në njoftimin e saj bën të ditur se strukturat e kufirit dhe migracionit në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit kanë arrestuar në flagrancë shtetasit Izmir Gjeka dhe Ervin Nurja.

Sipas njoftimit arrestimi i tyre është bërë pasi në dalje të Republikës së Shqipërisë gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin në pronësi të shtetasit Izmir Gjeka janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës material 7.2 kilogram lëndë narkotike e dyshuar e llojit cannabis sativa.

Sipas burimeve dy të arrestuarit në Muriqan kishin fshehur sasinë e drogës prej 7.2 kilogram në mjetin e tyre me të cilin po udhëtonin.

Lënda narkotike bëhet e ditur se i është gjetur dy shtetasve të arrestuar gjatë kontrollit në vijën e dytë nga ana e policisë në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit në serboratorin e makinës.

Pavarësisht se e kishin fshehur efektivët kanë arritur që ta zbulojnë dhe pas peshimit ka rezultuar një sasi prej 7.2 kilogram e dyshuar si cannabis sativa.

Pikat e kalimit kufitar mes Shkodrës dhe Malit të Zi vazhdojnë që të shfrytëzohen si mundësi për të bërë transportin e drogës në trafikun ndërkombëtar.

Tentohet që të kalohet në Malin e Zi dhe më pas lënda narkotike ka destinacion shtetet e tjera të Europës.

Policia ka goditur në vazhdimësi disa raste por sërish situata është problematike. Në Shkodër pak ditë më parë policia arrestoi katër shtetas të tjerë në një tjetër aksion ku u gjetën afro 100 kilogram lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë.

Dy prej të arrestuarve pranuan në gjykatë akuzat ndërsa dy të tjerë i kanë mohuar për këtë rast.

Artikulli paraprakSHKODËR,NIS RIPARIMI I URËS SË BAHÇALLEKUT
Artikulli tjetërPARLAMENTI MBLIDHET NORMALISHT, RAMA: DO KETË ZGJEDHJE