Prej mbrëmjes së të shtunës në Policinë e Tiranës u mbajtën të shoqëruar dy prej vëllezërve të Agim Dakës, tropojani që u vetëvra në zyrën e komisar Artan Cukut.

Policia e Shkodrës i shoqëroi dy vëllezërit e Dakës e më pas ata u sollën në Tiranë ku u morën në pyetje nisur nga dyshimet se ekzekutimi I ish-zyrtarit të policisë mund të ketë ndodhur për hakmarrje. Agim Daka u vetëvra në zyrën e komisar Artan Cukut në vitin 2005, kur ai ishte shef i Komisariatit nr.4 në Tiranë. Por vëllezërit e viktimës, një prej tyre i liruar prej 1 viti nga burgu kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen duke pretenduar se çështjen e vëllait e kanë sqaruar vite më pare duke e mbyllur tërësisht edhe sipas zakoneve.

“Nuk kemi asnjë lidhje me vrasjen. Me komisarin e kemi mbyllur këtë punë që kur vdiq vëllai”, kanë deklaruar Bujar dhe Florin Daka. Policia ka shoqëruar edhe djalin e xhaxhait të Agim Dakës por edhe ai ka deklaruar të njëjtën gjë në polici se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e ish-komisar Artan Cukut. Përveç kësaj, të dy vëllezërit Daka janë shprehur se në kohën e ekzekutimit të Cukut ndodheshin në Shkodër dhe se s’kane fare dijeni për çfarë ka ndodhur. Bujar dhe Florin Daka janë mbajtur për 24 orë në Policinë e Tiranës e më pas janë lënë të lirë. Ish-drejtori i Policisë së Vlorës u vra në një atentat në pallatin ku jetonte kur po ngjitej në apartamentin e tij nga persona që ende nuk janë identifikuar. Për ngjarjen ka pasur disa të shoqëruar, ndërsa po hetojnë specialistët më të mirë që ka policia. Artan Cuku ka pasur disa detyra të larta në Policinë e Shtetit deri në vitin 2013 kur u nxor në lirim. Kohët e fundit ai drejtonte një polici private. Efektivët po hetojnë në disa pista për zbardhjen e vrasjes së Artan Cukut.

Artikulli paraprakTËRTHORJA: KONTROLLE MJEDISIT NË PRAG TË SEZONIT
Artikulli tjetërMALËSI E MADHE, “VONESA NË DHËNIEN E NDIHMËS EKONOMIKE”