Dy të rinj humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë si pasojë e aksidentit të frikshëm që u regjistrua mbrëmjen e të hënës në rreth rrotullimit të Kolonjës.

Pas Jorges Shabani 21-vjeç, që ndërroi jetë në vend, bilanci shkoi në dy viktima mëngjesin e të martës.Kushëriri i tij Alteo Shabani 22-vjeç, që kishte mbetur i plagosur rëndë ndërroi jetë ndërsa po transportohej drejt spitalit të Traumës për mjekim më të specializuar.

Ndërsa Alban Doksani, 16 vjeç që udhëtonte bashkë me dy kushërinjtë mbeti i plagosur.
Burimet thonë se ai është në gjendje kome në spitalin e Traumës në Tiranë.
Tre të rinjtë po udhëtonin me një mjet “Daimler Crysler” teksa pësuan aksident tek rrethrrotullimi i Kolonjës.

Drejtuesi humbi kontrollin e për pasojë makina përfundoi në kanalin në anë të rrugës.
Dyshimet janë se mjeti po udhëtonte me shpejtësi të lartë, ndërsa për shkak të mjegullës që raportohet se kishte mbuluar zonën në kohën e aksidentit, drejtuesi nuk e ka parë rrethrrotullimin.

Megjithatë, policia e Lushnjes pas veprimeve të para në vendngjarje, ende nuk ka dalë në një përfundim zyrtar për shkakun e aksidentit.

Vetëm në dy muajt e fundit në periudhën shtator- tetor kanë humbur jetën 35 persona, një rritje e ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku numri i aksidenteve me pasojë vdekjen ishte 29.

Sipas ekspertëve rrugore, deri në 70 % e aksidenteve në rrugët e vendit ndodhin për shkak të sjelljes së keqe të drejtuesve të mjeteve.

Artikulli paraprakPOLICIA BASTIS DOGANËN E TIRANËS, SHOQËROHET NJË AGJENT DOGANOR
Artikulli tjetërRAMA TAKON KRYEMINISTRIN GREK MITSOTAKIS