Tirane- Kyçja e shkollave dhe kopshteve të miratuara si qendra votimi ishte lëvizja e radhës së disa bashkive të drejtuara nga opozita në kuadër të qëndrimit të deklaruar se ata do të zbatojnë dekretin e presidentit Meta që anuloi procesin zgjedhor të 30 qershorit.

Por këto veprime, kanë çuar në pranga punonjësit e disa bashkive të djathta nën akuzën e Pengimit të subjekteve në zgjedhje. Gjatë pasdites vijoi shpërndarja e materialeve zgjedhore në të gjitha bashkitë.

Ora 18:12 Shpërndarja e materialeve zgjedhore edhe në Kukës

Në KZAZ nr 11 në Kukës vijon shpërndarja e materialeve zgjedhore, për në qendrat e votimit. Procesi i shpërndarjes së materialeve është drejt fundit. Me heret janë shpërndarë në zonat dhe fshatrat përreth, ndërsa tani po shpërndahen në zonën e qytetit. Në Kukës ka 1 KZAZ dhe 88 qendra votimi. Votues në këtë qark janë 44 962 votues. Shpërndarja e materialeve është kryer pa probleme nëpër qendrat e votimit.

Ora 17:52 Kërkohet hapja e derës së shkollës “Jordan Misja” në Shkodër

Në KZAZ nr 4, shkolla “Jordan Misja” në Shkodër kanë mbërritur materialet zgjedhore nga KQZ. Dera e shkollës është e mbyllur dhe pritet hapja me forcë. Në shkollë ka mbërritur dhe policia e shtetit.

Roja i shkollës nuk ka çelësin e zinxhirit. Policia po raporton dhe kërkon informacion si do të procedohet.

Bashkia Shkodër nuk ka asnjë vendim që i është paraqitur zyrtarisht, pavarësisht paligjshmërisë.

Ora 17:50 Mbyllet pa incidente shpërndarja e materialeve zgjedhore në Elbasan

Ështe mbyllur pa incidente shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KZAZ në qendrat e votimit në qarkun e Elbasanit. Në total ne Elbasan janë 10 KZAZ. 4 prej tyre i takojne bashkise Elbasan përkatësisht ato me nr 47, 48, 49 dhe 50 dhe 6 të tjera i takojne bashkive Prrenjas,

Librazhd, Cërrik, Belsh, Gramsh dhe Peqin. Në total numri i votuesve në qarkun e Elbasanit është 343 258 votues të cilët do të votojnë në 2800 qendra votimi. Ndërkohë vetëm në bashkinë Elbasan numërohen 166.538 zgjedhës dhe 235 qendra votimi.

17:48 Shpërndahen materialet zgjedhore në Fier

Në bashkitë Fier, Patos, Roskovec dhe Ballsh, perfundon procesi i shpërndarjes se materialeve zgjedhore nga të 5 KZAZ- t në drejtim të Qendrave të Votimit. Procesi nuk ka shënuar asnjë problematike. Ka qenë i qetë dhe normal. Policia e Shtetit është në gatishmëri për garantimin e procesit zgjedhor, rendit dhe qetësisë.

Ora 17:26 Pas tensioneve dhe përplasjeve të një dite më parë, në orët e pasdites së sotme ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KZAZ numër 19 në Dibër.

Sipas kryetarit të KZAZ-së 19, Agron Cara, çdo gjë ka kaluar sipas rregullave. Aktualisht vetëm Peshkopia dhe njësia administrative Tomin janë pa materiale zgjedhore, por sipas Carës procesi do të mbyllet brenda 2 orësh.

Ora 17:11 Thyhet urdhri i Ademit, nis hapja e shkollave në Shkodër për zgjedhjet

Ora 17:05 Përfundon shpërndarja e materialeve zgjedhore në të gjitha Qendrat e Votimit të bashkisë së Devollit. Procesi ka qenë normal dhe pa incidente.

Rreth orës 16:21, në Shkodër ka vijuar shpërndarja e materialeve zgjedhore nga shkolla profesionale “Arben Broci”.

Në Gjirokastër, rreth orës 16:00 janë shpërndarë materialet zgjedhore në KZAZ 78. Sipas kreut të KZAZ, Roland Skendo asnjë qendër deri me tani nuk ka njoftuar per bojkot.

Bashkitë e djathta kyçin shkollat, në bashkitë e majta ndahen materialet zgjedhore

Bashkitë e Shkodrës, Mallakastrës dhe Pogradecit mbyllën shkollat e kopshtet e përcaktuara si qendra votimi për 30 qershorin, në vijimësi të qëndrimit se ata do të zbatojnë dekretin e presidentit që e ka anuluar procesin.

Por këto veprime u kushtoi arrestimin 4 punonjësve të bashkive Pogradec e Mallakastër, ndërsa nënkryetari i kësaj njësie vendore u shpall në kërkim. Ndërkohë në bashkitë e majta nisi shpërndarja e materialit zgjedhor.

Në Mallakastër, nënkryetari i Bashkisë Haredin Serjani është shpallur në kërkim, ndërsa dy punonjës të njësisë vendore dhe roja i një shkolle janë arrestuar.

Bashkë me Dervish Dervishaj, Erjon Isufaj, dhe Nimet Kapaj, Ai akuzohet se ka mbyllur 2 shkolla në qytetin e Ballshit dhe 21 shkollave në fshatrat e Bashkisë.

Ne Pogradec- Me të njejtën akuzë në pranga u vunë edhe dy punonës të Arsimit të Bashkisë të cilët mbyllën katër shkolla të përcaktuara për qendra Votimi.

Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të punonjësve që sipas tij bënë vetëm detyrën, kryebashkiaku i Pogradecit u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe të shmangin situatat konfliktuale

Ne Shkoder – Të kycura me zinxhirë këtë të shtunë ishin edhe shumica e institucioneve nën varësinë e Bashkisë e cila më herët ka deklaruar se nuk do të ofrojë asnjë ambient për procesin që e cilëson të paligjshëm pas dekretit të presidentit.

Ne bashkite e majta- Nga ana tjetër, në bashkitë e drejtuar nga të Majtët që në orët e mesditës nisi procesi i shpërndarjes së bazës materiale zgjedhore nga KZAZ-të drejt Qendrave të Votimit që do të hapen të dielën në orën 07:00 të mëngjesit.

Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore u ndoq edhe nga vëzhgues të OSBE dhe organizmave të tjerë të angazhuar në monitorimin e votimeve të 30 qershorit.

Në Korçë – Nis shpërndarja e materialeve të zgjedhjore në KZAZ-në numër 74. Procesi vijon normalisht.

Në Sarandë – Ka nisur shpërndarja e materialeve të zgjedhore në KZAZ-në numër 88 për 51 qendra votimi.

Artikulli paraprakNË KËRKIM NDËRKOMBËTAR PËR DROGË, LEZHJANI EKSTRADOHET NË ITALI
Artikulli tjetërSHKODER, DERA E SHKOLLES ‘EDIT DURHAM’ HAPET ME FORCE