Policia Vendore e Shkodrës kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e autorit që vendosi lëndën plasëse në portën e oborrit të gjyqtarit të Shkodrës Tonin Sterkaj. Në këtë mënyrë policia ka vendosur një shpërblim prej 30 mijë euro për këdo që jep informacion të saktë për identifikimin e autorit të tritolit në derën e shtëpisë të gjyqtarit Sterkaj. Edhe pse jemi në ditën e tretë të ngjarjes grupi hetimor nuk ka rënë ende në gjurmët e autorit i cili shfaqet në këtë video i maskuar dhe më pas largohet mes rrugicave pa lënë gjurmë.

Në një njoftim zyrtar efektivët bëjnë të ditur se kushdo që ka informacion duhet ta dërgojë në numrin 069 41 05 436 dhe policia garanton anonimat të sigurtë sibdhe shpërblimin prej 30 mijë eurosh. Po ashtu uniformat blu kanë ngritur një grup të posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë vijon njoftimin policia e Shkodrës dhe ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit. Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ka kryer një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale, si dhe vijon punën intensivisht, për administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë identifikimit të autorit, zbardhjes dhe dokumentimin të rrethanave të ngjarjes. Sasia e tritolit në shtëpinë e gjyqtarit Sterkaj u vendos në orët e para të mëngjesit të 28 prillit duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Pas kësaj ngjarje Komisioni i Posaçëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor vendosi një mbrojtje 6 mujore për gjyqtarin Sterkaj. Lidhur me këtë ngjarje bashkë me KLGj reagoi, Ministri i Drejtësisë, Ministri i Brendshëm, Unioni i Gjyqtarëve dhe Dhoma e Avokatisë në Shkodër duke e cilësuar si një akt të shëmtuar kriminal. Vetë gjyqtari Sterkaj deklaroi për policinë se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët por dyshon se ngjarja lidhet me detyrën e tij duke qenë se ka kaluar në duar shumë dosje penale.

Policia është duke verifikuar rastet e Amnistisë Penale por edhe personat që ka dënuar gjyqtari Sterkaj me vendim gjykate. Tonin Sterkaj punon prej 25 vitesh në gjykatat e Shkodrës ndërsa nuk e ka kaluar ende procesin e Vettingut duke qenë në pritje.

Artikulli paraprakDIMENSIÓN NOTICIAS’: ZBULONI SHQIPËRINË, VENDIN MË EKONOMIK EVROPIAN
Artikulli tjetërASTRAZENECA PRANON PËR HERË TË PARË SE VAKSINAT E SAJ KANË SHKAKTUAR EFEKTIN E RËNDË ANËSOR, PAS PADIVE TË VIKTIMAVE