Shqipëria e Italia marrëveshje kundër trafikut të drogës dhe terrorizmit

Fatmir Xhafaj e ka marrë lajmin e shkarkimit nga posti në Romë, pasi ndodhet në një vizitë zyrtare në Itali. Ministri Xhafaj takoi ministrin e Brendshëm Minniti dhe Prokurorin Kombëtar Antimafia Roberti. Minniti shprehu konsiderata për bashkëpunimin midis dy policive, por theksoi se ai duhet të thellohet e forcohet më tej, kryesisht në luftën kundër trafiqeve të paligjshme, lëndëve narkotike, qënieve njerëzore si dhe emigracionit të paligjshëm. Ministri Xhafaj shprehu mirënjohje të thellë ndaj mbështetjes që Qeveria italiane i ka dhënë Shqipërisë nëpërmjet misioneve të saj INTERFORZA, Guardia di Finanza dhe PAMECA, e cila edhe në misionin e saj të 5-të udhëhiqet nga përfaqësues të Policisë italiane. Ministri i Brendshëm i kërkoi homologut Minniti që Qeveria italiane të luajë një rol mbështetës në prioritetet që ka Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, jo vetëm sa i përket bashkëpunimit dypalësh, por edhe atij europian. Lidhur me prioritetet e përbashkëta që u diskutuan në takim, u vendos të krijohej një grup pune i përbashkët i dy ministrive për përgatitjen e disa marrëveshjeve të rëndësishme dypalëshe, si: marrëveshje në luftën kundër terrorizmit; marrëveshje në luftën kundër mbjelljes dhe trafikimit të lëndëve narkotike; marrëveshje në fushën e mbrojtjes së dëshmitarëve të drejtësisë; marrëveshje në fushën e turizmit (kryesisht në menaxhimin e përbashkët të kontrollit kufitar), marrëveshje në fushën e migracionit të paligjshëm (kryesisht të fëmijëve të mitur të pashoqëruar), si dhe binjakëzimin e Akademive të Sigurisë. Ministri Xhafaj gjithashtu gjatë vizitës në Itali zhvilloi një takim me Prokurorin e Drejtorisë Kombëtare të Antimafias, Franco Roberti. Në takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm, u diskutua mbi reformën në drejtësi, si dhe u ra dakord për thellimin e marrëdhënieve të ndërsjellta dypalëshe, kryesisht në drejtim të hetimeve të përbashkëta në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe grupeve të strukturuara kriminale. Prokurori Roberti shprehu gadishmërinë maksimale për të bashkëpunuar me palën shqiptare në drejtim të luftës së përbashkët në fushën e sigurisë. Kështu Fatmir Xhafaj mbërriti në Itali si ministër, ndërsa do të rikthehet në Shqipëri si ish-ministër i Brendshëm.

Artikulli paraprakAUTOMJETI PËRPLAS KËMBËSORËT. NJË I VDEKUR, DISA TË PLAGOSUR
Artikulli tjetërMBYLLET ÇADRA E OPOZITËS,RAMA IRONIZON : JEPET ÇADËR ME QERA