Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri u ka dërguar letër 2 redaksive të lajmeve, Corriere TV në Itali dhe britanikes në versionin online Daily Mirror.

“Jam i bindur që nuk jam i vetmi shqiptar që ndihet keq nga të pavërtetat që u pasqyruan, siç besoj se çdo italian apo qytetar i çdo vendi të botës që ka pasur mundësinë të njohë sadopak Shqipërinë, është ndier keq nga pasqyrimi thelbësisht i shtrembëruar i realitetit shqiptar në reportazhin tuaj”, shkruan ministri. Ministri thekson se fitorja më e madhe e terroristëve është krijimi i hijes së armikut edhe aty ku duhet të ketë besim, duke shkatërruar kështu mundësinë që qytetarët dhe shoqëritë tona të ndërtojnë solidaritetin e domosdoshëm të vlerave që duhet ti kundërvihet të keqes së përbashkët. “Në këtë rast, të pavërtetat e raportuara prej jush për Shqipërinë, duke shpikur shkolla për militantët e ISIS apo mbi 1000 rekrutë të paguar e të gatshëm për luftë, janë një tullë më shumë në murin e mosbesimit që na bën gjithmonë e më të paaftë për të fituar kohën që kemi humbur duke parë si kërcënim njëri-tjetrin, e kësisoj, të paaftë për të fituar kundër kërcënimit terrorist”, nënvizon ministri i Punëve të Brendshme. Ai shton se Shqipëria ka një popullsi me shumicë muslimane, por është verbëri të mjaftohesh me kaq për të imagjinuar rrezik terrorizmi në vendin tonë. “Ndaj, i nderuar, më lejoni t’ju siguroj se shqiptarët krenohen me vlerat e çmuara të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, një shembull unik që veç krenarisë, ka rrënjosur tek çdo qytetar shqiptar vullnetin për të mos pranuar frikën dhe kërcënimin e terrorit, por kurajon e forcën për të ndërtuar bashkëpunimin me çdo shoqëri të lirë që luftën kundër terrorizmit e fiton më së pari me vlera e besim, pastaj me armë”, shkruan Tahiri.

Artikulli paraprakVOLEJ FEMRA, VLLAZNIA NË KËRKIM TË NJË ORGANIZATOREJE
Artikulli tjetërITALI, PËRPLASEN DY TRENA NË METRONË E KALJARIT, 50 TË VDEKUR