Shqipëria i bashkohet aleancës për ndalimin e tregtisë së mallrave që përdoren për tortura dhe dënime me vdekje

Bashkimi Europian po udhëheq një përpjekje për të kufizuar tregtinë globale të instrumenteve të torturës dhe mjeteve të përdorura për të kryer ekzekutimet. Edhe Shqipëria është renditur ndër 60 shtetet që ndalojnë tregëtinë e këtyre mallrave. Shkopa me gjemba metalikë, rripa me shok elektrik, kapëse që fiksojnë njerëzit gjatë kohës që ekzekutohen me rrymë elektrike janë vetëm disa nga mjetet që do të ndalohen të tregtohen nga rreth 60 shtete të botës përfshirë edhe vendin tonë. Shqipëria nuk ka dënim me vdekje, por kjo nuk e ka frenuar që ti bashkohet vendeve që ndalojnë tregtinë e mallrave që përdoren për të dhënë dënimin fatal apo për të kryer tortura. Aleanca për Tregëti pa Torturë, ku janë përfshirë rreth 60 shtete u lançua në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Vendet me disa nga numrat më të lartë të ekzekutimeve, përfshirë Kinën dhe SHBA-në, nuk morën pjesë. Sipas Komisionerës Europiane për Tregtinë, Cecilia Malmstrom këto produkte nuk kanë asnjë qëllim tjetër përveçse të shkaktojnë dhembje dhe të vrasin njerëz. Ndonëse ligjet ndërkombëtare e ndalojnë torturën, shumë mjete të këtij lloji lejohen të transportohen lirisht nëpër botë. Bëhet fjalë edhe për lëndë lëndë kimike që përdoren për të ekzekutuar njerëz, si edhe sisteme injektimi të detyruar që shoqërojnë këto kimikate, madje edhe për dhoma gazi.

Artikulli paraprakNË KËRKIM SHQIPTARI, GRABISTE BANESAT
Artikulli tjetërPS TËRHEQ DY PROJEKT-LIGJET PËR DEKORATAT E IMPORTIN E MBETJEVE