Itali, shqiptari me 5.2 kg heroinë kapet nga qeni antidrogë

Guardia di Finanza ka sekuestruar natën e kaluar në Napoli një sasi lënde narkotike prej 5.2 kg heroinë e pastër, ndërsa arrestoi një shqiptar dhe dy persona të tjerë që bashkëpunëtorët e tij. Droga u kap gjatë një aksioni rutinë të policisë italiane. Automjeti i shqiptarit është arrestuar për faktin se ishte me targa të huaja, çka ka nxitur policët që ta ndalojnë atë për një kontroll. Automjeti drejtohej nga një 25-vjeçar shqiptar, ndërsa ndodhej në shoqërinë e nënës së tij dhe një banori napolitan rreth moshës 37-vjeç. Gjatë kontrollit të dokumenteve, të tre pohuan se kishin zbarkuar në portin e Barit nga Shqipëria, për të arritur te të afërmit e tyre për të kaluar sezonin e pushimeve. Megjithatë, ka qenë qeni antidrogë ai i cili ka nuhatur diçka të dyshimtë në brendësi të automjetit, çka ka vënë në lëvizje policët. Për këtë arsye, makina me tre personat është shoqëruar për në rajonin e policisë, për të inspektuar automjetin nga brenda. Për evidentimin e sasisë së heroinës, policisë i është dashur çmontimi i disa pjesëve të brendshme, ku edhe u gjetën 5.2 kg heroinë, e ndarë në 15 pako. Policia arrestoi 25 vjeçarin shqiptar me akuzën e trafikut të drogës, ndërsa vijojnë hetimet për rolin e dy personave të tjerë që ndodheshin në automjet me të.

Artikulli paraprakOSHEE PO VIJON AKSIONIN KUNDËR VJEDHJES SË ENERGJISË NË RAJONIN E SHKODRËS.SHOQEROHEN PUNONJES DHE ABONENTE
Artikulli tjetërMBETJET E FABRIKAVE PËRFUNDOJNË NË ÇEZMAT E BANORËVE