Tenori i njohur Gjon Athanasi (1925-2019) është shuar në moshën 94-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty ku prej 25 vitesh jetonte.

Xhon Athanas lindi në Brokton, Massachusetts, me 4 nëntor 1925. Prindërit e tij emigruan në Amerikë rreth viteve 1915. Si shumë emigrantë të tjerë të asaj kohe, ata punuan disa vjet rrjesht në shtetin Massachusset (ku edhe jetuan) duke u munduar të përmirësonin gjëndjen e tyre ekonomike. Xhoni ishte në moshë fare të vogël kur familja e tyre u kthye sërish në Shqipëri për disa arsye familjare, me mendimin për të ardhur përsëri në Amerikë në rastin më të parë.

Por me fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe më pas me vendosjen e komunizmit, u bë i pamundur kthimi i tyre në Amerikë. Xhoni që në moshë të vogël filloi të këndonte psalmet bizantine në kishën ku i ati ushtronte profesionin e klerikut (prift ortodoks).Më 1940 Xhoni pati rastin të takonte profesor Konden, një nga personalitetet artistike më të nderuar të asaj kohe në qytetin e Korçës, i diplomuar në Athinë. Profesor Konda e vlerësoi shumë zërin e tij dhe i rekomandoi të fillonte menjëherë mësime profesionale muzikore.

Kështu Xhoni filloi mësimet e para të muzikës me pr. Konden, i cili më tej e pranoi si solist në korin e Kishës së Mitropolisë, që profesori e drejtonte. Edukata muzikore që mori nga Konda, i shërbeu Xhonit për t’u pranuar si solist në grupin koral “Lira” të qytetit të Korçës me drejtues Kristo Konon. Xhoni tashmë ishte bërë i njohur si solist i qytetit të Korçës. Deri në vitin 1947 Xhoni vazhdoi një jetë artistike koncertale në gjithë rrethin e Korçës me grupin “Lira”, dhe gjithashtu ai aktivizohej me të gjitha grupet artistike që ishin në atë kohë në këtë qytet. Xhonin do ta shikoje afër këngëtarëve Gaqo Jorganxhi, Tole Adhami, Pavlina Nikaj, Gaqi Konomi.

Do ta shikoje duke mësuar bashkë me Dhora Lekën këngët e saj partizane. Në vitin 1947, me kërkesën e Gaqo Avrazit, në atë kohë dirigjent dhe udhëheqës artistik i korit të Ushtrisë Popullore, Xhoni bëhet pjestar i këtij ansambli duke u radhitur si solist bashkë me Ibrahim Tukiqin, Mentor Xhemalin, Avni Mulën, Ndrek Gjergjin, Lluk Kacajn, Maliq Herrin etj.

Në atë kohë Ansambli i Ushtrisë ishte më i kualifikuari dhe gjatë viteve 1947-1952 kishte një aktivitet artistik shumë të pasur. Një sukses i madh i ansamblit ishte turneu që bëri në Rusi (BS) në vitin 1949, gjatë së cilës ai u vlerësua shumë nga media dhe publiku rus. Xhoni ka kënduar me ansamblin si solist në të gjitha rrethet e vendit dhe me shumë sukses, në reparte ushtarake, në kufi, fshatra e qytete, në tribuna me raste festash etj.

Në vitin 1952, Xhoni, me propozimin e Komandës së Ushtrisë dhe Ministrisë së Kulturës, së bashku me kolegët dhe shokët e tij solistë të Ansamblit artistik të Ushtrisë, u nisën për studime në Konservatorin e Moskës, BS. Artistët e ardhur nga Shqipëria e vogël u vlerësuan shumë nga trupa pedagogjike e Konservatorit “Çajkovski”.

Secili nga pedagogët më në zë të Degës së kantos (këngës) donte me çdo kusht të kishte në klasën e vet njërin prej këtyre këngëtarëve shqiptarë. Xhoni filloi mësimin e teknikës vokale me një nga pedagogët e vjetër në Konservator dhe solist i parë në Teatrin Balshoi, Sergei Baturin. Gjatë këtyre viteve, Xhoni, krahas studimeve në shkollë, ka pasur edhe një aktivitet artistik koncertal shumë të madh. Ai me shokët e tij kanë paraqitur me dinjitet artistik për publikun artdashës rus muzikën shqiptare dhe botërore.

Kaq e njohur u bë muzika shqiptare, sa edhe sot kur takon njerëz të moshave të vjetra të asaj kohe (rusë), kujtojnë me nostalgji këngët: “Hajde moj”, “Lule bore”, “Vajta në Elbasan” etj. Në mbarim të studimeve të konservatorit, në vitin 1957 Xhoni mori pjesë si konkurues në Festivalin Botëror të zërave të rinj që organizohej ne atë kohë në Moskë.

Aty përfaqësoheshin 110 këngëtarë nga e gjithë bota. Zëri i Xhonit, me nje teknikë të kulluar dhe vokal skenik tërhoqi vëmendjen e gjithë konkuruesve. Xhoni Athanasi u vlerësua me çmim të dytë ndërkombëtar në atë festival dhe u quajt “Laureat” me Çmim të Lartë të festivalit. Ky ishte një stimul i shkëlqyer për fillimin e karrierës së tij, por gjithashtu një kujtim i paharruar, sepse Çertifikata e Diplomës ishte firmosur nga këngëtari i mirënjohur italian Tito Skipa, që ishte dhe kryetar i jurisë së festivalit. Në vitin 1957, pas studimeve, Xhoni u emërua si solist i Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Ishte një sukses i madh për artin operistik ardhja e këngëtarëve të rinj që u diplomuan në Moskë.

Krahas këngëtarëve të vjetër si Marije Kraja, Jorgjia Truja, Gj. Kosturi, K. Antoniu, H. Pelingu, tani u shtuan edhe M. Xhemali, A. Mula, I. Tukiqi, M. Herri, L. Kacaj, N. Mula, Xh. Athanasi, G. Cako, Gj. Heba, G. Zdruli etj. Teatri i Operës në vitet ’58-‘65 kishte në repertorin e tij 25 shfaqje artistike nga veprat më të vështira klasike të kompozitorëve Verdi, Puçini, Çajkovski, Leon Kavallo, Maskanji, Glinka, Bize, Masnet, një jetë shumë të pasur koncertale në të cilat Xhoni Athanasi ishte pjesëmarrës. Rolet në të cilat ai u shqua gjatë këtyre viteve kanë qenë:

Turidu tek “Kavaleria Rustikana” e Maskanjit
Kanjo tek “Pagliaci” i Leonkavallos
Lenski tek “Eugjen Ognegin”
Shonari tek “Bohema” e Puçinit
Don Bazilio tek “Dasma e Figaros” e Moxartit
Dhimitri tek “Lulja e kujtimit” e K.Konos
Bash Murgjini tek “Borana” e A. Mulës
Kuestori tek “Heroina” e V. Noves, Doda tek “Mrika” etj.

Gjatë viteve që punoi si solist në Teatrin e Operës ai ka përfaqësuar disa herë Shqipërinë në aktivitete koncertale jashtë vendit si në Rumani, BS, Kinë, Mongoli, Kore, Vietnam, Bullgari, Ukrainë, Lituani, Jugosllavi, Hungari etj. Kudo që ka shkuar, është vlerësuar nga spektatori dhe media si një këngëtar me zë të fuqishëm dhe shumë komunikues me spektatorin.

Aktviteti i tij si këngëtar në Teatrin e Operës dhe Baletit, Xhoni filloi njëkohësisht punën si pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura në degën e kantos. rezultatet e punës së tij si pedagog u dukën që në vitet e para, kur një brez i tërë këngëtarësh të rinj mbaruan me rezultate shumë të mira.

Njëkohësisht ai ka bërë edhe disa kompozime, sidomos për fëmijë. Ka punuar për krijimin e një albumi shkollor, me vepra operistike shqiptare, për t’u përdorur në Akademinë e Arteve si material studimi, duke parë me imtësi çdo frazë muzikore, për t’iu përshtatur sa më mirë studentëve në programin mësimor. Dy nga studimet e tij me rëndësi janë edhe “Të kënduarit si mjet shprehës dhe komunikimi” dhe “Teknika e frymëmarrjes së këngëtarit.” Ka përgatitur një album me përmbledhje këngësh popullore të rretheve të ndryshme të Shqipërisë.

Ka marrë pjesë në përgatitjen e festivaleve të ndryshme artistike-vokale të këngëtarëve lirikë të Gjirokastrës dhe të fëmijëve, ku shpeshherë ka qenë edhe kryetari i jurive. Për merita artistike shumëvjeçare Xhonit i është dhënë nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë titulli i lartë “Artist i Merituar”. Emri i Xhonit është i shkruar në Enciklopedinë Botërore të Artit, një vlerësim i rrallë ky që i bëhet një artisti.

Mbas vitit 1994 Xhoni bashkë me familjen e tij u rikthye në Amerikë, në vendin ku kishte lindur, në Boston. Ardhjen në Amerikë ai e kishte ëndërruar prej kohësh dhe ëndrra u bë realitet ndoshta me shumë vonesë.

Megjithatë, edhe këtu, megjithëse në moshë të thyer, ai e tregoi veten dhe vërtetoi se një artist i apasionuar, edhe me kalimin e viteve, gjithmonë e dashuron skenën dhe asnjëherë nuk e braktis atë. Kështu, Xhoni vazhdon aktivitetin e tij për komunitetin shqiptaro-amerikan në raste festash dhe pritjesh zyrtare, duke dhënë shumë koncerte në Boston dhe në qytete të tjera përreth.

Ai është mirëpritur dhe vlerësuar nga spektatori i këtushëm si një këngëtar i nivelit të lartë. Me zërin e tij Xhoni ka marrë pjesë në të gjitha festat shqiptare dhe takimet me personalitete zyrtare të Shqipërisë që kanë vizituar Bostonin.

Xhoni ka dhënë gjithashtu një numër koncertesh të tjera në shtetin e Massachusettsit dhe jashtë tij, në Nju-Jork, Nju-Xhersi etj. Në çdo aktivitet, bashkë me argëtimin e pjesëmarrësve, Xhoni, me mjeshtërinë e të kënduarit e të interpretuarit emocionalisht, ka sjellë edhe krenari kombëtare.

Me 1998 ai mori pjesë në një koncert me vepra klasike në Nju-Jork, organizuar nga “Motrat Qiriazi”. Koncerti, ku merrnin pjesë këngëtarë shqiptarë e kosovarë, u organizua për të ndihmuar financiarisht fëmijët kosovarë.

Artikulli paraprakKAPEN NË BRAZIL 617 KG KOKAINË E PASTËR ME VULËN E ‘K. F. ELBASANIT’
Artikulli tjetërMËNGJESI NIS ME DIELL, POR JA SI DO TË NDRYSHOJË MOTI DITËN E SOTME