Izmir Smajlaj, kampioni i Europës në atletikë ka vendosur që të mos jetë më pjesë e Vllaznisë duke tërhequr edhe leje-kalimin e tij nga “Sport Klub Vllaznia”. Smajlaj tashmë është bërë pjesë e klubit të Tiranës dhe kjo është konfirmuar nga vetë atleti shkodran.

Kjo tërheqje nga klubi i Vllaznisë nga ku realizoi edhe arritje mjaft të mëdha dhe të suksesshme mund të quhet një skandal për “Sport Klub Vllaznia”.

Smajlaj shpesh herë ka kërkuar mbështetje në Shkodër për të mos u larguar nga kuqeblutë por nuk e ka gjetur. Nuk ka patur asnjë lloj dëshire por mungesa e mbështetjes dhe neglizhenca institucionale ka bërë që ai të marrë këtë vendim.

Izmir Smjlajt i është bërë një ofertë mjaft e mirë financiare që e ka joshur shumë atë. Kjo ka bërë që të mos mendohet shumë gjatë për largimin e tij nga Vllaznia duke qenë se apeli i tij i përsëritur nuk është dëgjuar.

Tirana i ka plotësuar kërkesat për bazë materiale dhe kushte më të mira stërvitore. Izmir Smajlaj pas titullit kampion i Europës kërkon të shoh më tej. Trajtimi që i bën Tirana ka ndikuar tek kampioni.

Patjetër që do përfitojë edhe Klubi bardheblu që tashmë do të ketë pranë tyre përveç atletes Luiza Gega edhe kampionin dhe rekordmenin e kërcimeve Izmir Smajlaj.

Pavarësisht largimit nga “Sport Klub Vllaznia”, Shkodra është vendi ku Smajlaj ia doli të shënonte arritjet e tij më të mëdha nën drejtimin e trajnerit Vildan Tufi.

Atleti shkodran ka falenderuar të gjithë kolegët e tij me të cilët është stërvitur prej vitesh, stafin e trajnerëve dhe në veçanti ish- trajnerin e tij Vildan Tufi për të cilin ka një mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë në rritjen e performancës së tij.

Kështu Izmir Smajlaj i jep lamtumirën Vllaznisë nga ku që në moshë të vogël ka qënë pjesë e tij duke u formuar si sportist elitar duke arritur deri tek titulli Kampion i Europës si i pari atlet shqiptar që mbërriti të jetë më i miri në Europë.

Artikulli paraprakFACEBOOK NDALON POSTIMET ME INFORMACION TË RREMË
Artikulli tjetërSHKODËR, SHFAQET KOMEDIA “MOS MË TREGO PËRRALLA”