Sot në 11:00 do të shqyrtohet dhe pritet të kalojë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare projektligji për amnistinë që qeveria miratoi në fund të vitit të kaluar. Pas shqyrtimit në komisione, projektligji do të kalojë në Kuvend për të marrë miratimin e fundit. Por kush pritet që të përfitojë nga amnistia?

Nga amnistia do të përfitojnë 56 gratë e burgosura, 6 fëmijë të mitur, burrat të dënuar deri në dy vite dhe në moshën mbi 60 vjeç. Në 56 gra të burgosura të cilat vuajnë dënimin në Burgun e Grave në kryeqytet, 28 do të lirohen ndërsa 28 të tjera do të përfitojnë 1/3 ulje dënimi.

Ulja e 1/3 së dënimit për gratë, solli reagimin e burrave të dënuar në burgun e Reçit, që kërkuan që të mos diskriminohen, por të trajtohen të gjithë njëlloj. 731 të dënuar e fundit që patën mundësi të liroheshin nga amnistia i përkasin vitit 2016, ndërsa prej tre vitesh një projektligj për amnistinë nuk ka mundur të kalojë në parlament.

Kategoritë që përfitojnë
1. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna,deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

2. Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

3. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.

4. Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.

5. Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.

6. Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

7. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

8. Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale.

Artikulli paraprakRRITEN LEHTË TEMPERATURAT, KY ËSHTË PARASHIKIMI I MOTIT PËR DITËN E SOTME
Artikulli tjetërPARASHIKIMET E ZYMTA TË POPULLSISË, TIRANASIT MË TË RINJTË E VENDIT. KUSH ËSHTË QARKU ME MË TË VJETRIT