Në një kohë kur në Kuvend pritet që të miratohet ‘paketa anti-shpifje’, gazetarë, aktivistë dhe analistë, mbështetur dhe nga opozita jashtë parlamentit, do të zhvillojnë paraditen e sotme një protestë kundër këtij projekt ligji.

Protesta kundër paketës anti-shpifje pritet të nisë në orën 09:30, para Parlamentit. Pjesëmarrësit në këtë protestë paraqesin kërkesat e tyre për hedhjen poshtë të paketës anti-shpifje.

1. Nuk mund të ketë regjim rregullimi administrativ për median online, por regjime të tilla janë të pranueshme por jo të detyrueshme vetëm për median audiovizuale;

2. Një institucion administrativ si AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatat në shqyrtimin e ankesave ndaj përmbajtjes së një publikimi.

Gazetarët dhe aktivistët në protestë, pretendojnë se paketa anti shpifje nuk i jep zgjidhje lajmeve të rreme dhe shpifjeve, siç pretendon qeveria, por është përpjekje për të kapur median online.

Me paketën anti-Shpifje mediat elektronike do të mbyllen me urdhër të drejtpërdrejtë nga AMA nëse ky institucion gjykon që shkrimi ka pornografi me fëmijë, terrorizëm apo cenon sigurinë kombëtare. Është Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKPEP) që mbyll portalin pa vendim Gjykate nëse lajmi nuk fshihet brenda 60 minutave.

Nga personi që cenohet përmes një shkrimi online deri në Gjykatën Administrative janë në mes dy institucione në varësi të AMA-s, Këshilli i Ankesave dhe Bordi. Mediat online detyrohen të botojnë përgënjeshtrimin, por ka edhe kufizime në rast se ankuesi nuk ka fakte.

Paketa anti-shpifje është kritikuar edhe nga ndërkombëtarët, të cilët po ashtu, e kanë vlerësuar si pengim të fjalës së lirë.

Artikulli paraprakNGA PAKETA ‘ANTI-SHPIFJE’ TEK ‘BUXHETI 2020’, 22 ÇËSHTJET MË TË ‘NXEHTA’ QË SOT ZBRESIN NË KUVEND
Artikulli tjetërKUSH DO E DREJTOJË SPAK-UN? KLP MERR SOT NË PYETJE TRE KANDIDATËT