
Protesta e studentëve ka vijuar për të dytën ditë radhazi në Shkodër. Studentët u nisën nga sheshi “Nënë Tereza”, me pankarta në duar, për të marshuar në rrugët e qytetit.
Fillimisht, ata u bënë thirrje studentëve të Fakultetit të Drejtësisë, Ekonomikut dhe Shkencave Natyrore që t’u bashkoheshin protestës, për të vijuar më pas drejt pedonales së Shkodrës.
Ndalesa e radhës ishte Bashkia Shkodër, ku ndryshe nga një ditë më parë, nuk pati sulm ndaj institucionit.
Pas bashkisë, studentët u ndalën sërish para selisë së Partisë Socialiste, ku hodhën gurë dhe sende të forta. Pas ndërhyrjes së Policisë së Shkodrës, situata u vu nën kontroll dhe nuk pati konfrontime të tjera.
Marshimi vijoi më pas drejt shkollave të qytetit, ku studentët bënë thirrje për bojkot masiv të procesit mësimor.


