Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se i dyshuari kryesor për sulmin ndaj skuadrës së Dortmundit ka lidhje me ISIS, por nuk mund të vërtetohet përfshirja e tij në rastin e fundit.

26-vjeçari, Abdul Beset, do të përgjigjet në gjykatë mbi akuzën e pjesëmarrjes në një organizatë terroriste, por nuk ka asnjë provë që e lidh atë me agresionin ndaj ekipit gjerman. Hetuesit bëjnë të ditur se tashmë po investigojnë mbi një tjetër të dyshuar, që është një 28-vjeçar gjerman, por ende nuk ka shumë detaje mbi këtë proçes. I arrestuari si i dyshuar kryesor për sulmin ndaj autobusit të skuadrës së Dortmundit është pjesë e Shtetit Islamik, por nuk ka ende asnjë provë që të vërtetojë lidhje të mundshme mes tij dhe aktit terrorist të regjistruar ditën e martë.

Në këto përfundime kanë dalë hetuesit pas ekzaminimit të provave, ndërsa është zbardhur edhe identiteti i të arrestuarit. Abdul Beset ka qenë dikur drejtuesi i një njësie luftarake të Shtetit Islamik në Irak, por ishte kthyer në Gjermani në vitin 2016. 26-vjeçari prej atëherë mendohet se ka qënë duke planifikuar ekzekutimin e sulmeve të mundshme në Europë, ndaj kishte qënë nën ruajtjen e vazhdueshme të autoriteteve. Për këtë arsye, emri i tij kishte dalë si një prej të dyshuarve kryrsorë. Pavarësisht dyshimeve të forta që kanë për rastin, autoritetet nuk mund të provojnë përfshirjen e tij në sulmin ndaj autobusit që po transportonte Borusian e Dortmundit.

Megjithatë, 26-vjeçari do të akuzohet për terrorizëm si dhe planifikim të akteve terroriste, me mundësinë e rihapjes së çështjes aktuale në rast se do të gjenden prova të reja. Në këtë mënyrë, rasti i fundit vijon të mbetet i pazbardhur. Autoritetet bëjnë të ditur se kanë dyshime edhe për një 28-vjeçar gjerman, por ky i fundit deri më tani nuk është shoqëruar për t’u marrë në pyetje.

Artikulli paraprakKRIZA NË MAQEDONI, LSDM: KEMI PLAN PËR ZHBLLOKIMIN E KUVENDIT
Artikulli tjetër“HISTORITË” E INSTAGRAM-IT, MË TË SUKSESSHME SE ATO TË SNAPCHAT