Me rastin e Ditës Botërorë të Ujit, grupimi “Të mbrojmë lumenjtë”  kërkon të tërheqë vëmendjen e vendimmarrësve duke u shprehur se ndërtimi HEC-eve në Shqipëri nuk është bërë aspak në harmoni me natyrën dhe me komunitetet që preken.

 Të shqetësuar nga indiferenca e qeverisë ndaj kërkesave të herë pas hershme, protestave dhe pozicionimeve publike kundër ndërtimit të pakontrolluar të hidrocentraleve në lumenjtë e vendit, organizatat mjedisore përsëritin kërkesën për një Moratorium 3 vjeçar të zhvillimit dhe zbatimit të projekteve të HEC-eve në të gjithë territorin e Shqipërisë.    Të drejtat e përdorimit të ujit, kryesisht për vaditje dhe mungesa e informimit dhe konsultimeve (në 21% të rasteve ) përbëjnë shkaqet kryesore që çojnë në konflikte të lidhura me zhvillimin e hidrocentraleve në vend. Në 18 rastet konfliktuale të evidentuara janë raportuar 6 viktima të lidhura ngushtë me projektet e hidrocentraleve (3 viktima nga aksidente në punë; 1 viktimë nga konflikti i lindur nga ndërtimi HEC-it; 1 i plagosur dhe 1 tentativë vrasjeje).  Nga ana tjetër hidrocentralet dëmtojnë mjedisin në mënyrë të pakthyeshme duke shkaktuar prishjen e peizazhit, habitateve dhe biodiversitetit, ndryshimin e regjimit të rrjedhës ujore dhe përmbytje. Shumica e tyre ndodhen në zona me ndjeshmëri të lartë mjedisore dhe sociale, në zona të mbrojtura natyrore dhe në toka të banuara. Prandaj Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” i kërkon qeverisë një Moratorium 3 vjeçar të zhvillimit dhe zbatimit të projekteve të HEC-eve në të gjithë territorin e Shqipërisë, i cili do të krijojë mundësinë që të ndërhyhet menjëherë për frenimin e kësaj situate dhe përmirësimin e shpejtë të gjendjes aktuale e cila vlerësohet si alarmante nga shoqëria civile ashtu dhe donatorë të ndryshëm në fushën e ruajtjes së natyrës.

Artikulli paraprakVLLAZNIA, FIRMOSIN DY LOJTARË TË U-17
Artikulli tjetërTONIGHT – 21.03.2017