Zv/ kryeministri Erjon Braçe drejtoi sot mbledhjen e shtatë të jashtëzakonshme të qeverisë në mungesë të kryeministrit Edi Rama, që ndodhet në Londër në Samitin e NATO-s. Ai kërkoi që fokusi tashmë të jetë në zonat rurale, që kanë mbetur pak mbrapa. Braçe ngriti edhe dy shqetësime kryesore në mbledhje, e para se shtesat mbi pallatet para viteve 1990 rrezikojnë strukturën e godinës, jo tani, por më tutje dhe e dyta denoncimet që ka marrë nga disa qytetarë se kolonat e garazhe janë sharruar për t’u hapur vende.

Edhe pse Rama në ditët e fundit ka bërë paralajmërime të qarta për ndërtuesit që duhet të paraqiten për të riparuar dëmet e pallateve që kanë ndërtuar (ata që nuk kanë dëme në strukturë), Braçe tha se deri tani në Tiranë nuk është paraqitur asnjë. Ndërkohë që ministri fuqiplotë, Bledi Çuçi bëri një bilanc të personave që janë strehuar deri tani dhe dëmeve në godina.

“Strehimi ka shkuar 12 mijë persona që janë akomoduar në hotele, çadra, qendra sociale, palestra, etj. 4 mijë persona janë në hotele, 254 në palestra, 6.5 mijë në çadra, 395 në qendra sociale, 769 në Kosovë dhe 436 në akomodime të tjera. Përsa i takon dëmeve, në 26 shkolla me 10300 nxënës janë me dëme, 15 në Durrës, 2 në Lezhë dhe 9 në Tiranë. Nga objektet 656 janë inspektuar në Durrës, 242 të pabanueshme, 27 për t’u prishur. Në qarkun Tiranë janë 525 pallate të dëmtuara dhe 3921 banesa dhe 146 biznese.

Në Lezhë 400 banesa të dëmtuara, 138 me dëme të mesme, 53 pallate të dëmtuara rëndë, 13 institucione me dëme të rënda dhe 3 të mesme. Sot përfundon strehimi për të gjitha familjet e prekura me viktima. U bëj thirrje për pak durim banorëve, asnjë banesë nuk do të mbetet pa verifikim. Prioritet tjetër është hartimi i listës së ndërtuesve me dëme, dje 12 pronarë shprehën gatishmëri për rindërtimin e pallateve që nuk kanë marrë goditje në strukturë.

Sot do të fillojmë me lejet përkatëse që të fillojnë menjëherë. Duhet një udhëzim për bashkitë e prekura për trajtim të bonusve të qirasë deri kur të përfundojë akomodimi. 20 objekte të shembura deri tani në bazë të procedurave, nga akti i konstatimit te dosja procedurale, para ndërhyrjes së shembjes me fiksimin e vendit të ngjarjes dhe marrjes së provave, 8 në Thumanë dhe 12 në Durrës. Donacionet janë gjithmonë në rritje” tha Çuçi.

Artikulli paraprak“TËRMETI NUK U MAT NË DURRËS”, ÇUDIT SIZMOLOGU: AKSILOGRAMA E 26 NËNTORIT NUK ËSHTË REGJISTRUAR
Artikulli tjetër107-VJETORI I USHTRISË, META: TËRMETI TRAGJIK NXORI NË PAH DOMOSDOSHMËRINË E MODERNIZIMIT