Ka shkuar në 22 bilanci i viktimave nga shpërthimi në Mançestër Arena ku mes viktimave ka edhe fëmijë, ndërsa raportohet edhe për 59 të plagosur.

Shpërthimi i fuqishëm ndodhi në orën 22:35 të së hënës pas një koncerti pop nga këngëtarja amerikane Ariana Grande. Autoritetet britanike thanë se janë duke e trajtuar këtë rast si “incident terrorist”. Policia e Mançesterit tha se sulmuesi ishte një person i vetëm, i cili vdiq në shpërthim. Shefi i policisë Ian Hopkins tha se ishte “incidenti më i tmerrshëm” që qyteti kishte pasur ndonjëherë.Ai tha se po hetohet për të kuptuar nëse personi kishte vepruar i vetëm apo në bashkëpunim.

“Deri më tani kemi konfirmuar se 22 persona janë të vdekur dhe rreth 59 të tjerë janë plagosur. Kjo është duke u trajtuar si incident terrorist, derisa policia të mësojë më shumë”, ka thënë policia në Mançester në Twitter. Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka thënë se autoritetet janë duke punuar për të kuptuar detajet e kësaj ngjarjeje. “Ne jemi duke punuar për të kuptuar të gjitha detajet e asaj që nga policia po trajtohet si një sulm i tmerrshëm terrorist”, ka thënë May përmes një deklarate për media. Agjencia Retuers ka raportur se dy zyrtarë amerikanë kanë thënë se të dhënat e para flasin se shpërthimi është shkaktuar nga një sulmues vetëvrasës, ndonëse autoritetet në Britani nuk e kanë konfimuar këtë informacion. Dëshmitarët kanë thënë se kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm teksa njerëzit ishin duke u larguar nga “Manchester Arena”, ku këngëtarja Ariana Grande kishte mbajtur koncert. Ndërkohë partitë politike kanë pezulluar fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme.

Artikulli paraprakKRYEMINISTRI I ARDHSHËM I KOSOVËS: KARIZMATIK, DINAMIK, APO TEKNOKRAT?
Artikulli tjetërNISHANI KRAH BRITANISË, DËNON SULMIN TERRORIST NË MANÇESTER