Mes dhimbjes së madhe dhe lotëve, në Thumanë po bëhen nderimet e fundit në nder të familjes Cara dhe Greku të cilët humbën jetën nga shembja e tre pallateve, pas tërmetit të fortë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor.

Sot në orën 13:00 do të bëhet varrimi i dy familjeve. Njëra prej atyre ajo e Carajve është një nga më të prekurat e kësaj fatkeqësie, pasi 7 anëtarë të kësaj familje kanë gjetur vdekjen në gërmadhat e pallateve të shembura.

Homazhet po bëhen nën një çadër pranë një godine që njihet edhe si teatri i Thumanës. Në ceremoninë mortore të pranishëm janë edhe kryeministri Rama, zv.kryeministri Erion Braçe, ministri brendshëm Sander Lleshaj dhe ish ministrja e arsimit, Lindita Nikolla. Po ashtu kanë qenë të shumtë të pranishmit në homazhe, familjarët, shokë, miq, të afërm por edhe të panjohur që janë prekur nga kjo tragjedi.

Ndërkohë familjarët kanë nisur edhe vajtimin e viktimave, që kanë krijuar një situatë akoma më të trishtë pranë çadrave ku janë strehuar të prekurit nga tërmeti. Në këtë ceremoni mortore kanë ardhur shumë të afërt të cilët me lule në duar dhe me lot në sy shohin për herë të fundit arkmortet e familjarëve të tyre.

Artikulli paraprakTERMETI, MYFTIU I SHKODRES MESAZH TE FORTE
Artikulli tjetërDURRËS, TË FLESH ME TËRMETIN