Për Prokurorinë e Pesaros, droga e sekuestruar një natë më parë në brigjet e komunës së Fanos nga një gomone që vinte nga Shqipëria është ngarkesa më e madhe me lëndë narkotike e kapur deri më tani në këtë territor.

Sasia prej 1820 kg marijuanë do të vlente në treg nga 6 deri në 18 milionë euro. Në konferencën e shtypit të mbajtur gjatë ditës së sotme në Prokurorinë e Pesaros, autoritetet italiane kanë deklaruar se disa nga 5 shtetasit shqiptarë të arrestuar gjatë këtij operacioni janë rezidentë të rregullt prej vitesh në territorin italian, madje dhe sipërmarrës të shoqërive të vogla ndërtimi. Hetimet e këtij operacioni kanë nisur më vitin 2014 pasi në brigjet e këtij territori ashtu si dhe në janar të këtij viti në plazhet e Civitanova Marche, Porto Recanati e Porto Potenza Picena, Marzocca e Senigallia janë gjetur pako marijuanë të dala nga deti për shkak të humbjes së ngarkesës gjatë transportit. Prej këtij momenti policia italiane ka mbajtur nën kontroll territorin deri në sukesin e operacionit të një nate më parë. Autoritetet italiane theksuan gjatë konferencës për shtyp se ngarkesa e marijuanës ishte e konfeksionuar në pako të mbyllura hermetikisht me celofan e mbi cdo pako është shënuar një shenjë që korrespondon me emrin e qytetit italian ku do të transportohej më pas. Shenja të tilla të orientojnë drejt qyteteve si Bolonja, Verona etj. Sipas policisë italiane organizata kriminale pjesë e të ciëe janë dhe 5 shqiptarët e arrestuar është e organizuar mirë dhe e pajisur me instrumente për t’i shpëtuar përgjimit të forcave të rendit. Gjatë operacionit janë sekuestruar instrumente laser e zhurmues frekuence. Skenari i hetimit është i hapur pasi për autoritetet italiane është e rëndësishme të identifikohet bashkëpunëtorët e këtij grupi kriminal që vepron në territorin italian por dhe në atë shqiptar.

Artikulli paraprakZVICËR, NJË PERSON PLAGOS ME THIKË SHTATË PERSONA
Artikulli tjetërZBULOHET VLERA E MEDALJES SË ARTË QË FITOI MAJLINDA NË RIO