Turqia edhe zyrtarisht ka kërkuar arrestimin dhe dënimin e gazetarit Berat Buzhala për një status në Facebook.

Përmes një note, ambasada turke në Kosovë i ka bërë thirrje qeverisë kosovare që të marrë masa kundër Buzhalës për një koment e tij në Facebook, pas përpjekjes për grusht shteti. Gazetari Berat Buzhala njihet për statuset e tij plot ironi dhe satitër për ngjarje të ndryshme, ndërsa natën e tentativës për grush-shtet në Turqi, në Facebook ai kishte shkruar se ” i ftonte qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët janë në pushime në Turqi, t’i bashkangjiten ushtrisë turke. Ky është grusht-shteti më serioz që nga ardhja e Facebook-ut”. Kjo ka mjaftuar që ambasada turke në Kosovë më 20 korrik, t’i dërgojë një notë proteste ministrisë së Jashtme të Kosovës, duke i bërë thirrje që të ndërmarrë veprim për komentet e gazetarëve, konkretisht të Berat Buzhalës. “Ministria duhet të sigurojë që do të ndërmerren hapa të nevojshme në lidhje me këtë person në përputhje me ligjin”, thuhet në notën e protestës, në të cilën është bashkangjitur edhe screen-shot i postimit të Buzhalës. Ambasada ka cituar edhe nenin e ri të adaptuar në ligjin e Kosovës, i cili ndalon qytetarët e saj që t’i bashkohen konflikteve të armatosura jashtë vendit. Në notën e vërejtjes, ambasada gjithashtu shkruan që për shkak të komenteve të tilla, ligji përcakton dënim prej gjashtë muaj deri pesë vite burgim. Kjo është hera në historinë e Kosovës, që një shtet tjetër të kërkoj dënimin e një gazetari për një status në Facebook. Ndërkohë, mediat e mëdha botërore kanë raportuar për kërkesën e Turqisë për ta arrestuar drejtorin e Gazetës Express, Berat Buzhala, për komentet e tij satirike në Facebook gjatë kohës kur tentim puçi po ndodhte në Turqi. Reuters ka shkruar e para për kërkesën e ambasadës turke në Kosovë, e cila përmes një letre i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme të Kosovës që të ndërmarrë veprime për komentet e gazetarëve kosovarë në lidhje me tentim puçin në Turqi. Lajmi pastaj ka qarkulluar nëpër media tjera të mëdha botërorë, sic është gazeta e përditshme amerikane, The New York Times, si dhe e përditshmja konservatore britanike, Daily Mail, etj.

Artikulli paraprakMIRATIMI I REFORMËS, REAGON PRESIDENTI I KOMISIONIT TË VENECIAS
Artikulli tjetërTË SHTËNA ME ARMË ZJARRI NË SUEDI, DYSHOHET PËR NJË VIKTIMË