Universiteti i Shkodrës ende nuk ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve për rektor që u mbajtën më 21 qershor. Mbledhja e Komisionit Institucional Zgjedhor dështoi sërish duke mos arritur që të zhvillohet gjë e cila e zvarrit sërish këtë proces pa patur një fitues të certifikuar. Kandidati Tonin Gjuraj i cili sipas tabelave përmbledhëse nga 6 fakultetet e këtij universiteti ka marrë 93 vota nga pedagogët kundrejt 90 votave të rektores aktuale Rajmonda Këçira dhe 9 votave të Nertila Ljarjes thotë se fakti që mbledhja e KIZ dështoi sërish është një “shpërdorim detyre” i kryetarit dhe anëtarëve që nuk erdhën në këtë mbledhje.
Kjo pritje e gjatë për të certifikuar fituesin e zgjedhjeve për rektor të universitetit të Shkodrës nuk është normale thotë kandidati Gjuraj i cili shprehet se do presë me qetësi dhe i bën thirrje KIZ që të shmang këto fabrikime.
Një ditë më parë të dy kandidatët patën një përplasje deklaratash. Rektorja aktuale në detyrë Rajmonda Këçira pretendon se për shkak të diferencën prej vetëm 3 votash që e përkthyer në përqindje sipas saj nuk është më shumë se 1% nuk ka asnjë fitues. Nga ana tjetër kandidati Tonin Gjuraj e hodhi poshtë këtë pretendim duke thënë se fiton ai që ka më shumë vota dhe në këtë rast sipas tij Gjuraj është fitues sepse ka 93 vota kundrejt 90 votave që mori Këçira. Është ende e paqartë nëse në ditët në vijim do të njihet ky rezultat me fitues Tonin Gjuraj apo zgjedhjet për rektor të universitetit të Shkodrës do të përsëriten. Në rast se ky kaos nuk gjen një zgjidhje pritet që të ndërhyjë Ministria e Arsimit për t’i dhënë fund kësaj lufte që aq sa akademike po rezulton po aq edhe politike.