Vdes ne burg i dënuari për vrasje autor i masakrës në Delvinë

Selman Meleqi, i cili vuante dënimin për vrasje me dashje në burgun e Zaharisë në Krujë, ka gjetur vdekjen rrugës për në spital. Burime nga policia bëjnë me dije se Meleqi, 80-vjeç, ka humbur jetën një ditë më parë rrugës nga burgu i Krujës për në spital. Nga veprimet e kryera rezulton, se ai vuante nga disa sëmundje për të cilat merrte mjekim, bëjnë me dije burime zyrtare. Materialet për rastin u referuan për vlerësim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë. Vrasja në Delvinë Ngjarja për të cilën është dënuar Selman Meleqi ka ndodhur në qershor të vitit 2011, në lagjen më të vjetër të Delvinës, “Xhermëhallë”. Selman Meleqi ka hedhur dy granata dore në një banesë dykatëshe, duke shënjestruar një tjetër shtetas, me të cilin kishte konflikt prej vitesh. Por gabimi i shënjestrës, i ka kushtuar jetën 3-vjeçares Sara Zera, dhe ka lënë të plagosur rëndë të ëmën e saj 35-vjeçaren Age Zera, dhe gjyshin e saj. Shënjestra e atentatit ka qenë shtetasi Syrja Boçi, për të cilin autori kujtonte se jetonte në banesën e familjes Vathi, nga Shkodra. Selman Meleqi, ka shkuar pranë banesës, një apartament në një godinë të vjetër dhe ka hedhur dy granata dore. Në banesë ndodhej çifti i bashkëshortëve, Nikollë e Bardha Vathi, e bija e tyre Age Zera si dhe mbesa 3-vjeçare Sara. Nga dy shpërthimet e fuqishme, ka mbetur e vdekur në vend, 3–vjeçarja Sara, ndërsa kanë mbetur të plagosur rëndë, Nikollë Vathi dhe e bija, njëkohësisht e ëma e 3-vjeçares, Age Zera. Forcat policore të Delvinës e Sarandës që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë gjetur autorin në gjendje shoku pas gabimit të shënjestrës dhe vrasjes së 3-vjeçares. Ai u shoqërua drejt Komisariatit të Delvinës, ku është arrestuar nën akuzat: “vrasje me paramendim”, “vrasje me paramendim mbetur në tentativë”, “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Shkaku i masakrës Shkak për ngjarjen është bërë një konflikt pronësor. Godina në të cilën jetonin viktimat ishte në pronësi të autorit dhe vëllait të tij, të cilët e kishin dhënë me qira. Pak metra më tutje, ndodhej një ndërtesë në pronësi të vëllait të Syrja Boçit, i cili kohët e fundit po ndërtonte duke iu afruar më shumë godinës së vëllezërve Meleqi. Selman Meleqi, prej kohësh ishte futur në konflikt me Syrja Boçin.

Artikulli paraprakVRAU BASHKATDHETARIN, ARRESTOHET 32 VJEÇARI SHQIPTAR NË ITALI
Artikulli tjetërADOLESHENTI PLAGOS ME ARMË ZJARRI DY VËLLEZËR BRENDA LOKALIT