Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar planin e tij në mbështetje të të rinjve, sipas së cilit do të frenojë largimin në masë të të rinjve jashtë vendit.

Plani i kryedemokratit ka tre pika kryesore, taksa të ulëta, investime në teknologji dhe një politikë fiskale që mbështet punën.

Për Bashën, gjatë qeverisjes së Ramës janë promovuar njerëzit me rekorde kriminale dhe për shkak të korrupsionit të lartë, të rinjtë nuk kanë marrë atë që meritonin, dhe kjo sipas kryedemokratit do të marrë fund me ardhjen e tij në pushtet.

“1 në çdo 3 persona që ikën nga vendi ynë është i ri apo e re, ndërsa Shqipëria është ndër vendet me largimin më të madh të trurit në rajon, sipas raportit më të fundit nga Gallup. Sot shqiptarët largohen sepse kanë më pak mundësi për arsimim dhe ata që arsimohen më pak mundësi për punësim.

Me Edi Ramën janë promovuar ata që kanë rekorde kriminale dhe jo të rinjtë e mirëshkolluar. Taksat e larta të qeverisë Rama këto 7 vjet kanë marrë më shumë para nga xhepat e të rinjve se çdo qeveri tjetër, teksa korrupsioni nuk lë të ecin përpara ata që janë profesionistë të ndershëm.

Largimi i të rinjve është një plagë tjetër e madhe për Shqipërinë. Ne do të bëjmë gjithçka për t’i mbajtur në vendin tonë të rinjtë si krahun më vital të punës. Plani ynë do të mbështesë iniciativat e të rinjve, kushtet e duhura për punësimin dhe sipërmarrjet e tyre. Ata kanë plot ide, pasion dhe energjinë e duhur për t’i dhënë një hov të madh pozitiv zhvillimit të vendit.

Ne do të çlirojmë tregun nga monopolet që ekonomia jonë të marrë frymë lirisht: me taksa të ulëta, investime në teknologji dhe një politikë fiskale që mbështet punën. Plani ynë do të krijojë hapësira që kushdo që dëshiron të arsimohet e të punësohet ta bëjë këtë në vendin e vet.

Shqiptarët duan një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe që u bëhet atyre krah, një qeveri që ofron mundësi dhe punë per djemtë dhe vajzat tona”, shkruan Basha.

Artikulli paraprakRAMA NXJERR VIDEON: RRUGËT E LËNA RRUGËVE U SHITËN SI TË ‘KRYME’, POR U KTHYEN NË MALE ME BORXHE! SHQIPËRIA NË DREJTIMIN E DUHUR
Artikulli tjetërMETA DEKRETON 12 REKTORËT E RINJ TË UNIVERSITETEVE, CEREMONI NË PRESIDENCË PËR FITUESIT E 30 KORRIKUT